Kumanovë, mërgimtarët për Portalb: Vendlindja na mungon shumë

Mërgimtarët dhe të rinjtë nga Kumanova, që studiojnë jashtë vendit sot deklaruan për Portalb se u mungon shumë vendlindja dhe se mezi presin pushimin për të ardhur këtu. Ata nuk lanë pa komentuar konfliktin e armatosur të 9-10 majit, i cili si i papritur i shqetësoi shumë.

“Kemi ardhur të hënën në mëngjes, babai dje u kthye se nuk kishte më shumë pushim, por ne do të qëndrojmë 10 ditë. Një ditë dola nëpër qytet me të afërmet, por për shkak të nxehtit nuk preferoj të dalë shumë. Më shumë kënaqem duke biseduar në shtëpi me familjarët, sepse atje në Zvicër nuk kemi shumë kontakt me njerëzit e afërt.”- tha Zarife Salihu, që jeton në Lucern të Zvicrës. Ajo deklaroi se është mërzitur për gjithçka, si për vendin ashtu edhe për njerëzit. Ndërsa ishte shqetësuar dhe frikësuar shumë për të afërmit që ishin këtu gjatë konfliktit të armatosur.

“Ka një javë që kur kam ardhur me familjen, por kisha disa punë në shtëpi e përveç ditëve të Bajramit, ende nuk arrita t’i vizitoj mirë të gjithë të afërmit e miqtë. Planifikoj t’i vizitoj gjatë 3 javëve në vijim.” – tha Osman Ajdini, i cili jeton në qytetin Bilgjen, të Zvicrës. Në lidhje me konfliktin e armatosur, ai shtoi: “Shumë rëndë e kemi përjetuar, shumë rëndë, sikur të ishim këtu.”

“Vendi më mungon shumë. Këtë herë dy javë e përjetuam Ramazanin këtu, kemi pasur mysafir pothuajse për çdo iftar. Kemi qëndru deri në syfyr me biseda e shaka. Po edhe Bajrami ishte shumë më ndryshe këtu: ishte shumë kënaqësi kur përnjëherë erdhën 60 kusherinj për të na uruar festën, atje ndodh që në punë të takohemi me bashkëshortin, e t’ia urojmë festën njëri-tjetrit.”-deklaroi Sizane Salihu e cila jeton në St. Gallen të Zvicrës dhe  shtoi se ngjarja e majit i kishte shqetësuar shumë “Tërë kohën ishim të brengosur, kemi njerëz të familjes këtu.”

Për Portalb foli edhe Agron Shaqiri, student në Fakultetin për Media dhe publicistikë, në qytetin Eskisheher të Turqisë: “Realisht shumë më ka munguar vendlindja. Më mungonte çdo gjë, nuk kisha kohë të flas gjuhën time, nuk kam pasur takime të shpeshta me shoqërinë shqiptare. Derisa isha në Turqi ndodhi konflikti i armatosur në Kumanovë, për të cilën lexova qysh në ora 8 të mengjesit nga portale të ndryshme. Kam qarë tërë ditën, por më shumë më kanë tmerruar lajmet e rrejshme, si ai me vdekjen e vajzës 8 vjeçare. Thuhej se u rikthye 2001-shi, mendoja ta braktisja shkollimin e t’i dal zot vendlindjes, të nisesha menjëherë.” Kështu pushimin në vendlindje e filloi me një aktivitet në kuadër të FRI-së, falë të cilit vizitoi ‘Lagjen e Trimave’ dhe takoi dy kryefamiljarë, shtëpitë e të cilëve ishin rrënuar plotësisht.

“U bënë një muaj që kur kam ardhur, në shtator shkoj sërish. Takova shumë miq e mikesha, dashamirë e dashamire. Për së pari herë morra në duar nipin 5 muajsh… Këtë fundjavë do të takoj edhe vëllezërit, që do të kthehen nga mërgimi. Ditët në vijim kemi disa ahengje familjare.”-rrëfeu studenti./Portalb.mk

 

Lajme të ngjashme

Back to top button