Drejtoresha e shkollës në Tetovë demanton: Padia mund të jetë ngritur për ish drejtoreshën

Drejtoresha e SHMEK “8 Shtatori”, ka demantuar lajmin e djeshëm të botuar në Plusinfo se është ngritur Padi penale për drejtoreshën e shkollës fillore 8 shtatori në Tetovë.

Sipas drejtoreshës Ramije Kurtishi, personi me ato iniciale i bije të jetë ish drejtoresha e shkollës e cila është larguar nga detyra në vitin 2013.

Në vazhdim ju sjellim të plotë demantin e drejtoreshës së tanishme Ramije Kurtishi.

D E M A N T

Sot, më datë 22.07.2015 në disa portale elektronike nga rajoni i Tetovës, siç janë tetovasot, tetova1, portalb, plusinfo, etj. nga një gazetar i panjohur është shkruar një artikull me titull “Padi penale për drejtorëshën e shkollës fillore 8 shtatori në Tetovë”.

Meqenëse, unë-Ramije Kurtishi, jam e emëruar U.D. më 28.08.2013, kurse përmes konkursit të regullt jam zgjedhur drejtor në Shkollën e Mesme Ekonomike Komunale (SHMEK)-Tetovë më 10.02.2014 (detyrë që vazhdoj t’a kryej edhe sot e kësaj dite), protestoj ashpër për mossaktësim informacioni në portalet e lartëpërmendura, ngase:

  1. Në Tetovë nuk ka shkollë fillore nën emrin “8 Shtatori” (e njejta është shkollë e mesme).
  2. Personi për të cilin bën fjalë gazetari anonim, me iniciale Z.H. ka qenë drejtoreshë në SHMEK “8 Shtatori” deri më datë 27.08.2013 (që i bie të jetë ish-drejtoreshë).

Meqenëse, unë – Ramije Kurtishi, jam e thirrur të mbroj dinjitetin e çdo nxënësi, të çdo mësimdhënësi, të çdo personeli administrativ dhe njëherit të shkollës si tërësi, nuk dua të bëj për asnjë çast rolin e inspektoratit, rolin  e prokurorit, rolin e gjykatësit, etj., ndaj dhe Ju bëj thirrje të gjithë lexuesve që të gjykojnë drejtë kur lexojnë dhe dëgjojnë informacione të pasakta e nganjëherë edhe tendencioze, si dhe çdo gazetari që nuk informohet mirëfilli për rendin dhe për trendin e zhvillimeve në komunë dhe më gjërë.

Me respekt për çdo lexues,

Ramije Kurtishi

Drejtoreshë e SHMEK “8 shtatori”

Tetovë

Lajme të ngjashme

Back to top button