Lëvizja BESA: Takim me ambasadoren franceze në Shkup

Sot në selinë e Lëvizjes BESA u realizua një takim miqësor në mes Ambasadores së Francës në Shkup, znj. Laurence Auer, dhe kryetarit të Lëvizjes, Bilall Kasami si dhe Afrim Gashi – anëtarë i Trupit Koordinues.

Në këtë takim, kryesisht u bisedua për situatën aktuale politike në vend, si dhe për mundësitë e zgjidhjes së krizave të njëpasnjëshme në Maqedoni. Në këtë frymë përfaqësuesit e BESËS theksuan qëndrimin e tyre se për Lëvizjen nuk është aspak i mjaftueshëm vetëm ndërrimi i pushtetit, nëse nuk ndryshon edhe sistemi juridiko-kushtetutes i Maqedonisë.

Kështu përfaqësuesit e Lëvizjes BESA konstatuan se atyre u vjen mirë që ditëve të fundit në fakt qëndrimin e artikuluar nga BESA për ridefinimin e shtetit në një formë a tjetër tashmë po e përkrahin edhe subjektet e tjera në vend, si edhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare.

Në takim u fol edhe për përcaktimet programore dhe për konceptin e Lëvizjes BESA si dhe për ecurinë, strukturimin dhe aktivitetet e saj. Në një ambient shumë miqësorë, ndër të tjera, Ambasadorja Auer shprehi gatishmëri për takime më të shpeshta dhe bashkëpunim edhe më të thellë mes Lëvizjes BESA dhe shtetit francez.

Lajme të ngjashme

Back to top button