Lajmi përbëhet nga të gjitha palët!

[Recension: LSDM: Nuk kemi parë politikan si Ali Ahmeti!]

Kur gazetari burimet janë të rëndësishme pa të cilat nuk mund të botohet një lajm. Ato bëhen publike dhe vetëm ashtu opinioni i beson informacionit. Në raste të caktuara për hir të interesit publik informacioni mund të botohet pa u bërë i ditur burimi i saktë. Tek lajmi që po recensojmë kemi një rast të tillë ku burimi ka kërkuar të mbetet anonim. Por interesi publik nuk përmbushet sepse lajmi nuk përfshin të gjitha palët.

Një lajm që i referohet burimeve anonime mbështetet në kredibilitetin e medies dhe gazetarit. Lajmi që recensojmë është i tillë. “Funksionarë të lartë të Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM) thonë se janë dëshpëruar nga paraqitja e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, në takimin e liderëve ku u arrit Marrëveshja për daljen e Maqedonisë nga kriza”Lajmi është shkruar me korrektësi duke vënë qartë citimet e burimit edhe pse anonim: “….thonë për “Lajm” burime partiake pranë LSDM, duke insistuar të mbeten anonime”.

LSDM  Nuk kemi parë politikan si Ali Ahmeti  fullscreenLinku deri te artikulli origjinal: Recension: LSDM: Nuk kemi parë politikan si Ali Ahmeti!

Data dhe koha e publikimit: 16.07.2015,

Data e recensionit: 18.07.2015

Recensues: Adrian Kerimi

“Ahmeti edhe në këtë takim, njëjtë sikurse në takimin e Brukselit, i mbeti deri në fund besnik Gruevskit. Nuk kemi parë deri tani një politikan aq kundërthënës me atë që e flet në opinion dhe asaj që e bën në takime të mbyllura. Kemi përshtypje se ai gjatë tërë kohës fliste atë që nuk dëshironte ta thotë vetë Gruevski”

Gazetari me të drejtë ka botuar çështjet e ngritura, sepse ato përbëjnë interes për publikun. Mënyra e negociatave për zgjidhjen e krizës politike në vend, ka shumë interes për opinionin.

Në tekst më pas thuhet: “Ata sqarojnë se për shkak të “përkrahjes së plotë nga BDI dhe PDSH”, Gruevski në takim është ndier superior dhe gjatë kohë nuk ka pranuar kompromis. Për këtë arsye komisari Han, është detyruar të kërkojë ndihmën e ndihmës sekretares amerikane, Viktorija Nuland”, duke dhënë detaje për takimin të marra nga burimi, edhe pse anonim.

 “Situata ishte si te kuizi Milioner. Han u detyrua të kërkojë ‘ndihmën e mikut’ dhe të thërrasë ndihmëssekretaren Nuland. Në bisedën e tretë Nuland kërkoi prej Hanit që të ja japë në telefon Gruevskin. Gruevski doli jashtë dhe pas bisedës e cila zgjati rreth 30 minuta u kthye në sallën e takimit dhe u pajtua me marrëveshjen.

Artikulli vazhdon me paragrafin: “Ata thonë për “Lajm” se për shkak të kësaj sjellje të Ahmetit, në kryesinë e LSDM-së shtohet numri i atyre që kërkojnë që të gjendet formë të publikohen të gjitha ‘bombat’ me skandalet e BDI-së”. Qëndrime këto tejet me interes, sepse njerëzve u tregojnë detaje të cilat ata mund të mos i kenë ditur më herët.

Artikulli përfundon me këtë qëndrim të burimit anonim të LSDM-së:“Është mëkat që shqiptarët e Maqedonisë të mos e dinë fytyrën e vërtetë të BDI-së dhe të mendojnë se bëhet fjalë për njerëz të ndershëm. Nuk mund të paramendoni se në çfarë aferash janë të implikuar me VMRO-në. Të shohim. Ndoshta ‘bombat’ do t’i publikojmë në pres konferenca, ndoshta do t’ua dorëzojmë mediumeve. Nëse vendosim t’i dorëzojmë në mediume Lajmi, Alsati dhe Almakosi janë mediat e para që i kemi parasysh”.

Lajmi ndonëse përcjell me korrektësi burimet dhe qëndrimet e partisë LSDM, ndaj akuzave të ngritura nuk ka asnjë përgjigje. Media dhe gazetari pas një informacioni të tillë me interes të konsiderueshëm do të duhej patjetër që në tekst të përfshinte të dyja palët.

Normat profesionale thonë se gjithmonë kërkohet opinion për akuzat e ngritura dhe nëse subjekti refuzon të japë deklaratë kjo i bëhet e ditur publikut. Edhe mos reagimi është një formë reagimi, të cilin publiku e gjykon vetë. Pa të dyja palët, ndonëse informacioni i dhënë është me shumë interes, mund të interpretohet si i njëanshëm.

Lajme të ngjashme

Back to top button