Kosovë, mbi 15 mijë qytetarë nënshkruajnë liberalizimin e vizave

Mbi 15 mijë qytetarë kanë nënshkruar peticionin për përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave, aktivitet ky që ka nisur një javë më parë nga ana e shoqërisë civile, të prirë nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS).
Nënshkrimeve iu bashkohen edhe 500 letra nga qytetarët drejtuar përfaqësuesit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar dhe ministrit kosovar për Integrime Evropiane, Bekim Çollaku, me të cilat qytetarët po shprehin nevojën e tyre për lirinë e lëvizjes.

Në 15 mijë nënshkrimet e numëruara deri tani, mungojnë ato të zonave më të thella, pasi që deri tani janë numëruar vetëm shtatë komunat kryesore.

Aktiviteti me nënshkrimet e qytetarëve fillimisht është paraparë të zgjasë dy javë, pra deri më datën 28 të këtij muaji, por varësisht prej rrjedhës së procesit, organizatorët mund edhe të vazhdojnë aktivitetin edhe për disa ditë të tjera.

Visare Aliu nga KFOS, që është edhe koordinatore e fushatës, thotë se numri i deritanishëm i nënshkrimeve është relativisht i kënaqshëm pasi që në fundjavë ishte festë dhe kjo ndoshta ka ndikuar në mos-daljen e qytetar ëve për të nënshkruar.

“Deri tash e kemi një shifër e cila është dikur rreth 15 mijë nënshkrime në shtatë komunat kryesore, mirëpo pa rrethinë. Do të thotë nuk janë të numëruara sa po arrin numri nëpër rrethina. Ne mendojmë që është një numër relativisht i kënaqshëm, sepse duke marrë parasysh faktin që ishte ditë feste, njerëzit kanë filluar edhe pushimet, nuk ka pasur edhe shumë qarkullim, e sidomos këto dy-tri ditët e fundit po ia lëmë edhe kohës së nxehtë. Të shohim si po rrjedh tutje, shpresoj që ka me pas një numër të mjaftueshëm”, thotë ajo.

Ajo bën të ditur se edhe numri i qytetarëve që po lënë kartolina gjatë aktivitetit, për përfaqësuesit e BE-së dhe ata të Kosovës, është mjaft i madh. Deri tani janë shkruar 500 kartolina. E kjo, sipas Aliut, është mundësuar në mënyrë që qytetarët mos t’i drejtohen vetëm Bashkimit Evropian, por edhe Qeverisë së Kosovës, në mënyrë që kjo e fundit të bëjë më shumë presion tek ndërkombëtarët dhe të punojë drejt përmbushjes së kritereve të kërkuara për lëvizje të lirë, raporton KP.
Prishtina, e pastaj Mitrovica, po prijnë me numrin më të madh të qytetarëve që po i bashkohen aktivitetit.

Në mënyrë që të nënshkruash, aty duhet patjetër të lësh edhe numrin personal, e Aliu tregon se shpesh qytetarët nuk kanë pas ID-të e tyre me vete dhe kështu iu është pamundësuar nënshkrimi.

Qëllimi kryesor për këtë peticion mbetet aktivizimi i drejtpërdrejtë i qytetarëve në çështjen e lëvizjes së lirë.

“Nuk mund të themi se më këtë do të realizohet krejt ajo çka ne e presim por shpresojmë shumë, dhe kjo është për ne kryesore, që të aktivizohen të gjithë qytetarët, të jenë më dinamikë rreth kësaj sepse, tek e fundit, kemi të bëjmë me një çështje jetësore, që është çështja e lëvizjes së lirë, një çështja që i prek të gjithë”, thotë ajo.

Meqë pamundësimi i lëvizjes së lirë i ka shkaktuar mjaft dëme shoqërisë kosovare, Aliu thotë se liberalizimi i vizave do të zvogëlonte edhe numrin e emigrantëve nga Kosova.

“Jemi të bindur se me rastin e liberalizmit të vizave edhe numri i njerëzve që migrojnë do të zvogëlohet, sepse njerëzit e kanë një hall që migrojnë ilegalisht. Në përgjithësi mendojmë që do të hapen shumë rrugë për një zhvillim më të mirëfilltë për Kosovën”, thotë ajo.

Me të përfunduar aktiviteti, nënshkrimet e mbledhura nga ky peticion do t’i dorëzohen përfaqësuesit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar dhe ministrit të Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku.

Nënshkrimi i peticionit, përmes së cilit qytetarët e Kosovës i drejtohen autoriteteve të Bashkimit Evropian dhe Qeverisë së Kosovës për përshpejtimin e liberalizimit të vizave, ka nisur me datën 14 të këtij muaji.

Organizatat partnere në këtë aktivitet janë “Kosovo 2.0” – Prishtinë, OJQ “EC Ma Ndryshe”– Prizreni, OJQ “Community Building Mitrovica” – Mitrovicë, OJQ “She-Era” – Gjakovë, OJQ “Vizioni i Syrit” – Pejë, OJQ “Network of peace Movement” – Gjilan, “Iniciativa për Progres INPO” – Ferizaj.

Aktiviteti është paraparë të zgjasë dy javë që nga data 14 korrik, por ka mundësi që të vazhdojë edhe më tutje.

Lajme të ngjashme

Back to top button