Policia e Kosovës: Kush shtin me pushkë në dasma e ahengje, do të burgoset

Policia e Kosovës, në kuadër të “Urdhrit operativ për sezonën verore 2015”, ka paraparë një objektiv të veçantë për parandalimin e përdorimit të armëve të zjarrit, përfshirë ceremonitë festive, ahengjet e dasmat.

Janë marrë masa shtesë me shtimin e prezencës policore dhe reagimin e menjëhershëm në të gjitha rastet ku ka informacione për përdorim të armëve të zjarrit.

“Përdorimi i armëve të zjarrit është veprimtari e kundërligjshme dhe e rrezikshme për qytetarët, andaj apelojmë tek të gjithë qytetarët që të mos përdorin armët në asnjë rrethanë, e as në ceremoni festive, në të kundërtën do të përballen me pasoja ligjore”, thekson njoftimi i dërguar sot nga Policia kosovare.

Njëkohësisht Policia e Kosovës falënderon të gjithë qytetarët për bashkëpunimin e ndërsjellët, në parandalimin e e përdorimit të armëve të zjarrit – kësaj dukurie negative për shoqërinë.

Në 9 korrik, Policia e Kosovës ka shkatërruar mbi 1,742 copë të armëve të vogla dhe të lehta. Armët e shkatërruar janë konfiskuar nga Policia e Kosovës gjatë punës së tyre të hetimit të krimit, u tha në ceremoninë e Ditës Ndërkombëtare të Shkatërrimit të Armëve.

“Data 9 korrik përkujton botën për rrezikun që kanë armët e tepërta, të siguruara në mënyrë të paligjshme dhe për rrezikun që paraqesin për sigurinë dhe jetën e qytetarëve”, u tha me këtë rast.

Lajme të ngjashme

Back to top button