Të mërkurën seanca për shfuqizimin e ligjit për lustrim

Deputetët e VMRO-së dhe BDI-së  kanë nënshkruar Propozim/ligji për ndërprerjen e ligjit për lustrim i cili ka hyrë në procedurë parlamentare dhe është vendosur në rend dite në seancën e 22 korrikut.

Gjithashtu parashihet që ndalesa për kryerjen e funksionit publik për personat e lustruar deri tani, të vlejë vetëm 5 vjet nga dita e fuqizimit të vendimit të Komisionit për lustrim. Pas kalimit të këtyre 5 viteve, këta persona të shpallur si ish bashkëpunëtor të shërbimit sekret, të mund të rifitojnë të drejtën për të ushtruar detyra dhe funksione publike. Në arsyetimin e ligjit thuhet se ky afatizim i periudhës është rekomanduar nga komisioni i Venecias.

Lustrimi përfundimisht do të ndërpritet më 1 shtator dhe me të do të ndërpriten edhe procedurat dhe lëndët që nuk kanë arritur të procedohen nga Komisioni deri në atë periudhë. Komisioni për verifikimin e fakteve do të veprojë deri sa lëndët e shqyrtuara të marrin verdiktin final edhe nga instancat e tjera gjyqësore, dhe pas kësaj me një vendim të veçantë në Kuvend do të përfundojë edhe mandati i lustratorëve.

Të punësuarit në komision nuk do të mbeten në rrugë, por do të transferohen në kuadër të ministrisë për administratë publike dhe shoqëri informative. Siç sqaruan ditë më parë për Alsat propozuesit e ligjit, vendimi për shfuqizim të lustrimit vjen pas rekomandimeve të Komisionit Evropian dhe raportit të Pribes.

Ndërkaq përpiluesi i ligjit të parë për lustrim, Stojan Andov, tha se ky vendim është vetëm zyrtarizim i dështimit të procesit të lustrimit. Procesi u zhvlerësua sipas tij që në vitin 2012 kur shumica parlamentare shfuqizoi ligjin paraprak që ishte miratuar me konsensus dhe miratoi ligj të ri pa mbështetjen e opozitës. Që atëherë janë lustruar gjithsej 199 persona, ndërsa 35 prej tyre nuk janë të gjallë.

Lajme të ngjashme

Back to top button