Rrëfehen shoqet e 20-vjeçares që u vetëvra: Ne e dinim se donte një djalë e jo vajzë

Lidhur me ngjarjen e rëndë ndodhur një ditë më parë ku një vajzë vrau veten për një dashuri të mohuar nga një vajzë, shoqet e saj janë rrëfyer se ato dinin për një lidhje të 20 vjeçares me një djalë e jo një vajzë.

Policia ka nisur hetimet tashmë për zbardhjen e vetëvrasjes së studentes 20-vjeçare Ida Xherahu. Hetuesit kanë marrë në pyetje tre shoqet e viktimës, me të cilat ajo jetonte në një shtëpi me qera.

Ato kanë thënë për policinë se nuk kishin vënë re ndonjë sjellje të çuditshme të shoqes së tyre, raporton Panorama. 20-vjeçarja kishte lënë një letër sqaruese, ku përmendej emri “Xhoi”.

Hetuesit që kanë nisur punën për zbardhjen e plotë të motiveve të vetëvrasjes së studentes 20 vjeçare, thonë se çelësi është vajza me emrin “Xhoi”, e cila ende nuk është identifikuar. Kjo vajzë ka mbetur mister pasi as shoqet e viktimës, me të cilat ajo ndante shtëpinë në Tiranë, nuk e njihnin dhe as nuk e kishin dëgjuar ndonjëherë emrin e saj.

Tri vajzat, bashkëmoshatare të Ida Xherahut, po ashtu studente tek Inxhinieria e Ndërtimit, janë shoqëruar dje për t’u marrë në pyetje nga grupi hetimor. Vajzat kanë deklaruar se shoqja e tyre ishte shumë e qetë, e dashur dhe që nuk u kishte lënë asnjëherë të dyshonin se ajo mund të kryente një veprim të tillë. Tri studentet që kanë ndarë për një vit qiranë e shtëpisë me vajzën që u vetëvra dje, janë thirrur veç e veç në Polici për të dëshmuar rreth ngjarjes.

Atyre u është treguar edhe letra e lamtumirës që 20 vjeçarja kishte lënë para vetëvrasjes dhe ato kanë identifikuar shkrimin si të sajin, pa ngjallur dyshime se mund ta kishte shkruar dikush tjetër. Ndërsa emri “Xhoi” që përmendej në atë letër, nuk u thoshte asgjë, pasi shoqja e tyre nuk ua kishte përmendur asnjëherë.

“Ne e dinim që ajo kishte një lidhje dashurie, por me një djalë. Nuk e kishim idenë që ajo mund të pëlqente femrat, të paktën jo në këtë formë”, janë shprehur vajzat. Ndërsa kanë shtuar se pavarësisht se ajo u kishte thënë se dilte me një djalë, të cilin e kishte të dashur, asnjëherë nuk u kishte folur për të dhe nuk ua kishte thënë as emrin e tij.

“Nuk e dimë emrin e djalit që ajo thoshte se e kishte të dashur. Nuk na e kishte thënë, madje as nuk na e kishte prezantuar, siç na ndodh ne të tjerave që të takohemi ndonjëherë edhe si çifte. Por që të dashuronte një vajzë, këtë nuk e kishim menduar asnjëherë dhe as nuk na e kishte lënë të dyshonim për këtë”, kanë deklaruar tri shoqet e viktimës. Pas deklarimeve, vajzat janë lënë të lira”.

Lajme të ngjashme

Back to top button