Kosovë, politikanët urojnë qytetarët për festën e Bajramit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, me rastin e Ditës së Bajramit të Madh, ka uruar kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiun Naim Tërnava dhe të gjithë besimtarët myslimanë.

“Me rastin e ditës së Bajramit të Madh, juve, besimtarëve myslimanë dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, ju uroj që këtë ditë ta kaloni në paqe, solidaritet dhe mirëkuptim me njëri-tjetrin. Në këtë ditë të veçantë, pas përfundimit të muajit të madhërishëm të Ramazanit, muajit të sakrificës, mëshirës, solidaritetit dhe paqes, uroj që të gjithë besimtarët myslimanë, të bashkuar, në begati dhe në harmoni, të festojnë me familjarët, miqtë dhe me më të dashurit e tyre”, thuhet në urim.

Presidentja më tej shprehet “Në këtë ditë feste, le të reflektojmë për punën, për angazhimet dhe obligimet që kemi ndaj njëri-tjetrit, ndaj familjes, miqve dhe shoqërisë. Le të shtrijmë dorën e ndihmës dhe të solidaritetit për të gjithë ata që kanë nevojë. Të punojmë çdo ditë, me shumë përkushtim, për ndërtimin e të ardhmes më të mirë për vendin tonë, si pjesë e familjes së madhe evropiane, duke kultivuar me shumë respekt traditën e tolerancës ndërfetare dhe ndërkulturore si vlerat me të çmuara të shoqërisë sonë. Në këtë festë të Bajramit të Madh, me respekt të veçantë, t’i kujtojmë të gjithë ata që u angazhuan dhe sakrifikuan për vendin tonë”.

_____________________________________

Partia e Drejtësisë, ka uruar të gjithë besimtarët e fesë islame, me rastin e përfundimit të muajt të shenjt të Ramazanit, si dhe festës së Fiter – Bajramit.

“Kemi dëshirën dhe kënaqësinë t’u urojmë Festën e Fiter – Bajramit, duke iu uruar paqe dhe begati në familjet e juaja dhe duke lutur Zotin e Madhërishëm që të pranojë agjërimin, lutjet dhe veprat e devotshmërisë ndaj Krijuesit të gjithësisë. Urojmë që t’i gëzojmë të gjitha dobitë e kësaj Feste, në rrafshin trupor, psikologjik, social, dhe shpirtëror. Festa e Fiter – Bajramit, përcjell mesazhin për sakrificë, zemërgjerësi, dashuri dhe solidaritet me të gjithë njerëzit në nevojë”.

Partia e Drejtësisë apelon tek të gjithë besimtarët që në këtë ditë të madhe të jenë pranë familjeve të dëshmorëve, bonjakëve dhe të gjithë atyre që kanë nevojë për përkujdesjen e tyre.

“Në këto ditë të gëzimit dhe krenarisë jemi në lutje për shpirtrat e dëshmorëve dhe martirëve të kombit si dhe gjithë ata që dhanë më të shtrenjtën për lirinë dhe pavarësinë e shtetit tonë. Zoti i madhërishëm i forcoftë përjetë familjet e tyre me dashurinë dhe respektin tonë. Paqja, Mëshira, dhe të gjitha begatit e Krijuesit të Madhërishëm qofshin me Ju!”

_____________________________________

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka uruar të gjithë besimtarët e besimit islam, me rastin e festës së Fitër Bajramit.

Ai ka thënë se në këtë ditë duhet të kujtojmë të gjithë ata që sakrifikuan për vendin dhe popullin tonë.

“Uroj që kjo festë të sjellë sa më shumë dashuri e harmoni mes nesh. Në këtë ditë, ne kujtojmë me respekt edhe të gjithë ata që u sakrifikuan për vendin dhe popullin tonë, kujtojmë të rënët e shumtë, të të gjithë brezave, të cilët krenarë qëndrojnë në themelet e shtetit, të lirisë dhe pavarësisë sonë.

Njëkohësisht, krahas festës, uroj që të gjithë bashkë, me përkushtim më të madh të angazhohemi në sendërtimin e mëtejmë të shtetit të Kosovës, paqes, lirisë dhe mirëqenies për të gjithë qytetarët e vendit”, ka shkruar ai në Facebook.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button