Mesazhi i kryetarit të BFI, Sulejman Rexhepi, me rastin e Fitër Bajramit 2015

Kreu i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni, Sulejman Rexhepi ka dërguar mesazhin e tij me rastin e Fitër Bajramit 2015.

Mesazhi i kryetarit të BFI:

“Ja, juve ju bëhet thirrje të shpenzoni në rrugën e Allahut, por disa prej jush janë koprracë. Kush tregohet koprrac, ta dijë se i bën dëm vetes, sepse Allahu është i Pasur (s’ka nevojë për asgjë), ndërsa ju jeni të varfër. E, nëse ju ia ktheni shpinën dhe i largoheni Atij, Ai do t’ju zëvendësojë me një popull tjetër, i cili nuk do ta ndjekë shembullin tuaj.” Muhamed 38.

Motra e vëllezër, të dashur besimtarë!

Le ta falënderojmë me gjithë shpirt Krijuesin tonë që na e mundësoi edhe një herë t’i përjetojmë bukuritë, mrekullitë dhe të gjitha të mirat e Muajit të Bekuar të Ramazanit. Sot, me thirrjen e namazit të akshamit përfundojmë me agjërimin. Nesër, në fytyrat e të gjithë besimtarëve, kudo në botë, do të shpërthejë natyrshëm një gëzim, sepse kemi festën e Fitër Bajramit, por, pa dyshim, në thellësitë e zemrës sonë do të ndjejmë një keqardhje për mbarimin e këtij Muaji. Sepse, u mësuam me ibadetet, ndjeheshim shumë mirë pranë Krijuesit tonë, duke e sfiduar të ligën dhe të keqen, duke u përmbushur me devotsahmëri. Kjo është ajo ndjenjë që i duhet çdo muslimano, sot e përjetë. Dhe kjo arrihet duke hequr dorë nga veset e këqia, nga praktikat e djallëzuara, duke hequr dorë nga përgojimet, nga përgjimet, nga shpifjet dhe përçarja, duke qenë gjithmonë në ibadet, në lutje, të përkushtuar për ta ndjekur vetëm rrugën e Allahut Fuqiplotë.

Përkushtimi ynë për ta ndjekur Rrugën e Vërtetë është e vetmja pasuri e jona që na bën të lumtur si në këtë ashtu edhe në botën tjetër. Duke qenë besimtarë më të fortë, të përkushtuar ndaj parimeve islame, ne do të jemi më afër njëri tjetrit, më afër skamnorëve e jetimëve, më afër subjekteve dhe institucioneve që punojnë natë e ditë për t’i jetësuar Porositë e Shenjta të të Madhit Zot dhe të Pejgamberit tonë, Muhamedit a.s.

Besimtarë të dashur, pas faljes së namazit të Bajramit, të gjithë do të rendni nëpër shtëpi për të shprehur gëzimet dhe uratat tek familjet, tek të afërmit, tek të dashurit e juaj. Ndajeni sofrën tuaj të begatë me ata që nuk kanë, me fqinjët tuaj, shpreni mëshirë, afërsi dhe unitet.

Motra e vëllezër, e lus Allahun Fuqiplotë që t’ua ket pranuar asgjërimin dhe të gjitha ibadetet e muajit të Ramazanit.

Ju uroj Gëzuar e për shumë mot Fitër Bajramin. Zoti ju bekoftë!

Lajme të ngjashme

Back to top button