Dokumenti fantazmë i nënshkruar nga BDI-PDSH

Një muaj e gjysëm pas shpalljes fantazmë të një dokumenti po aq fantazmë të nënshkruar nga liderët shqiptarë, dhe të proklamuar si dokument i cili do të ishte pjesë e një marrëveshjeje historike (vëllimi 2) mes maqedonëve dhe shqiptarëve, për ta bërë më së fundmi këtë shtet, sot doli në publik një dokument tjetër i nënshkruar po nga ata. Dokumenti i sotëm cuditërisht nuk përmban asnjërën nga pikat të cilat i proklamuan liderët shqiptarë në atë kohë.

Nuk është shlyer nga memorja e publikut dokumenti famoz që përmbante 7 pikat që shqiptarët gjoja jua kishin parashtruar maqedonasve gjatë bisedimeve të para në Przhinë si ultimatum për vazhdimin e procesit negociues; ndër të cilat do të duhej të rregulloheshin cështje themelore si përdorimi i gjuhës dhe flamurit, rregullimi me kushtetutë i nevojës për një zëvendëspresident shqiptar të shtetit, ndarjen proporcionale të buxhetit, ndarjen e postit kryeministër një shqiptari etj. Edhepse ky dokument kurrë nuk u shfaq në formën autentike, edhepse iu zhdukën gjurmët për një kohë shumë të shpejtë pas fjalosjeve të para lidhur me ekzistencën e tij, sot pas 7 javësh ky dokument ka mbetur po aq fantazmë sa që dukej atëherë. Ne si opinion publik duhet të parashtrojme pyetjen se cka mbeti nga kjo propozim marrëveshje e draftuar nga dy liderët shqiptarë që marrin pjesë në bisedimet e lartpërmendura. Pse ekzistenca e mohuar e këtij dokumenti sot nuk i spjegohet publikut. Shqiptarët kanë të drejtë ta dijnë të vërtetën.

Akoma më e dhimbshme bëhet kjo kur lexohen pikat e marrëveshjes së arritur mbrëmë. Askund nuk përmendet faktori shqiptar, ndërsa sot u konfirmua, në bazë të mesazheve nga diplomatët ndërkombëtarë, që elementi shqiptar në këtë shtet nuk është faktor i rëndësishëm për ecjen përpara të proceseve eurointegruese dhe të proceseve zhvillimore politike, ekonomike dhe sociale të këtij vendi. Asnjë përgëzim, asnjë uratë për negociuesit shqiptarë përsa i përket ndikimit të tyre në arritjen e marrëveshjes, që sot e quajmë historike. Sot të gjithë jemi dëshmitarë se si Maqedonisë i hapen sërish rrugët e integrimit, pa qenë të ndikuara në asnjë moment nga zhvillimet politike të inicuara nga faktori politik shqiptar. Gjithashtu jemi dëshmitarë të status quo-së së qëndrueshme të pozitave tona në këtë shtet. Dy momente kyce që tregojnë për melankolinë politike shqiptare dhe që nuk premtojnë asgjë të mirë në të ardhmen.

Sërish, është e dhimbshme neglizhenca, apo më keq akoma – pafuqia e BDI-së dhe PDSH-së në realizimin e interesave tona kombëtare. Ashtu është kur hyjnë në negociata në bazë të vetëm dy premisave kryesore: mbajtja e foteleve, si premisë parësore dhe bindja e sëmurë që punët tona do t’i zgjidhën faktori ndërkombëtar. Për kolltukofagizmin e partive shqiptare kemi folur edhe më përpara; ajo që duhet theksuar është nevoja për t’ju dhënë atyre një knock-out të fuqishëm në zgjedhjet e paralajmëruara për fundin e prillit të vitit të ardhshëm. Ndërsa, përsa i përket servilizimit tonë ndaj ndërkombëtarëve, i duhet një qasje psikoanalitike. Ky servilizim, ky nënshtrim i interesave të popullit shqiptar në Maqedoni interesave europjane dhe amerikane për një Maqedoni stabile është sindrom i një paaftësie të theksuar për të definuar programet politike në bazë të qasjeve realistike ndaj interesave tona. Humbja e statusit faktor politik që u evidentua gjatë kësaj krize politike tregon që është urgjente lindja e ideve të reja zhvillimore, që do të qaseshin nga njerëz me energji të reja dhe me fytyra të reja. Le të jetë dokumenti fantazmë 7 pikësh, sinjal i amshimit të këtyre dy partive të defaktorizuara shqiptare.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button