Konflikt mes Balotellit e Allegrit pas sfidës me Barçën

Mario Baloteli duket se e ka të vështirë të qëndrojë larg konflikteve, larg situatave të pakëndshme dhe atyre që e vënë gjithmonë në qendër të kritikave.

Sipas rrjetit mediatik Al Jazeera dhe më konkretisht, gazetarit të saj Hussein Yasseen, Super Mario duket se ka patur një konflikt verbal me trajnerin Massimiliano Allegri në përfundim të ndeshjes teksa skuadrat po i drejtoheshin dhomave të zhveshjes.

Sipas asaj që pretendon Al Jazeera, trajneri ishte i pakënaqur nga loja e të tijve dhe kritikoi futbollistët në përfundim të ndeshjes, por Balotelli, që mesa duket është “lule mos prek”, nuk i ka duruar dot klithmat e trajnerit dhe i është kundërpërgjigjur duke nisur një konflikt verbal mes tyre. Mario e nisi ndeshjen nga stoli, dhe ky fakt mund të ketë amplifikuar nervozizmin e tij, megjithatë nuk është hera e parë që në një ndeshje ndaj Barcelonës, sulmuesi bëhet problematik.

Kur sheh fanellën katalanase përballë mesa duket italiani tërbohet dhe një rast i ngjashëm ndodhi dhe tre vite më parë po në tapetin e “San Siros”, me Balotellin, që në atë periudhë luante te Interi dhe në përfundim të suksesit historik me blaugranat flaku përtokë fanellën zikaltër.

Mesa duket mungesa e protagonizmit në fushë e bën SuperMarion të humbasë nervat por nëse konflikti mes Allegrit dhe Balotellit do të konfirmohet dhe nga klubi kuqezi, atëherë të tjera telashe do të shfaqen në horiozont për sulmuesin, që e ka të pamundur për të qëndruar larg problemeve.

Lajme të ngjashme

Back to top button