Nikoliç: Tentimi për linçim të Vuçiçit, pasqyron marrëdhëniet gati armiqësore në BeH

Pas incidentit të djeshëm në Potoçari të Srebrenicës, ku pas ceremonisë përkujtimore të viktimave të gjenocidit të më shumë se 8,000 boshnjakëve në vitin 1995, u sulmua kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiç, Presidenti serb, Tomisllav Nikoliç, sulmin e djeshëm e konsideron si “tentativë për linçim të kryeministrit të Serbisë” dhe se e njëjta është reflektim i marrëdhënieve pothuajse armiqësore në Bosnjë dhe Hercegovinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas një deklarate nga zyra e presidentit të Serbisë ndër të tjera thuhet se sulmi ndaj Vuçiçit tregon qartë se çka për serbët si popull “mendojnë disa politikanë boshnjakë dhe udhëheqës fetarë”.

“Aleksandar Vuçiç u sulmua sepse ai përfaqësonte Serbinë. Është e qartë se ai u sulmua për shkak se erdhi me dorën e zgjatur të pajtimit. Askush nuk mund të mbetet indiferent ndaj egërsisë që u shfaq, i ngjashëm me sulmin mbi krushqit serbë në vitin 1992. Nëse nevojitet kurajë e jashtëzakonshme për të shkuar në vizitë miqësore, atëherë pyetja është se çfarë në të vërtetë është armiqësia”, theksohet në deklaratën nga kabineti i Nikoliçit.

Nikoliç përgëzoi Vuçiçin për guximin e tij dhe besnikërinë e sigurimit të tij.

“Serbia, qëndrimin e saj ndaj kombeve dhe shteteve tjera nuk do ta ndryshojë, ai mbetet miqësor, të tjerët duhet të mendojnë për atë që po bëjnë apo kanë bërë edhe 20 vjet pas luftës civile”.

Lajme të ngjashme

Back to top button