Në Ferizaj tetë të prekur nga bruceloza, asgjësohen 226 krerë dele

Tetë raste të prekur nga sëmundja e brucelozës në Ferizaj i kanë vë në lëvizje autoritetet komunale të shëndetësisë dhe të bujqësisë në marrjen e masave parandaluese.

Në një konferencë të përbashkët për medie drejtuesit e këtyre dikastereve kanë dhënë informacione për këtë sëmundje e cila nga kafshët bartët te njerëzit.

Drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi, Burim Karameta, ka thënë se bëhet fjalë për disa persona të prekur nga fshati Pleshinë e Ferizajt, gjendja e të cilëve është stabile dhe nuk mund të bëhet fjalë për ndonjë epidemi me përmasa të gjera dhe alarmante, transmeton kp.

“Situata është në kontroll, masat janë marrë më mirë se herëve tjera. Ferizaj tashmë renditet si qyteti i tretë në Kosovë, për praninë e kësaj sëmundje. Bëhet fjalë për 5 raste, ku tri prej tyre janë hospitalizuar dhe janë në Klinikën Infektive, janë duke u trajtuar dhe gjendja e tyre është stabile dhe dy raste janë duke u trajtuar në kushte të shtëpisë, në përkujdesje të mjekëve. Gjithashtu kemi edhe 3 bashkëpunëtorë profesional, të cilët gjatë ekzaminimeve të ndryshme janë infektuar, por edhe gjendja e tyre është e mirë”, ka thënë Karameta.

Zyrtarët kanë thënë se bashkërisht me Institutin e Shëndetit Publik dhe Agjencionin e Veterinës kanë ndërmarrë hapat e duhur dhe nuk ka ndonjë shqetësim për përhapjen e kësaj sëmundjeje që atakon njerëzit përmes bartjes së saj nga kafshët.

Zyrtarët kanë thënë se fermerit, të cilit do t’i shkatërrohet kopeja me dele, AVUK-u sipas ligjit dhe rregulloreve, do të bëjë kompensimin e dëmit.

“Çdo sëmundje shkatërruese e bagëtisë që paraqitet, AVUK-u bënë kompensimin dhe ky ka qenë një shqetësim i fermerit, pasi ka dashur që të ndajë qengjat e painfektuar, por kjo nuk lejohet për shkak të zonës dhe paraqitjeve të rasteve të mëpastajme që do të dëmtonte bagëtinë e tjerëve”, ka thënë drejtori Reçica.

Lajme të ngjashme

Back to top button