Kumanovë, Iftar i përbashkët organizuar nga FRI dhe AAG

FRI- Sektori i Femrës, Kumanovë në bashkëpunim me Asociacionin për Afirmimin e Gruas (AAG) të martën organizoi iftar të përbashkët. Me ç’rast të ftuara ishin rreth 65 mysafire të profileve të ndryshme. Në lokalet e restoranit ‘Ambrella’, pas iftarit aktiviteti u përmbyll me një program modest.

Me këtë rast, Hafije Fejzuli, përgjegjëse e FRI-Sektori i Femrës për Kumanovë deklaroi për Portalb: “Mbrëmja e sontme, është iftar i përbashkët i Sektorit të Femrës dhe Asociacionit për Afirmimin e Gruas (AAG), ku të ftuar janë mysafire të profileve të ndryshme, bashkëpunëtore të këtyre dy shoqatave, anëtare e aktiviste. Mbrëmja përmbyllet me një tribunë me dy ligjëruese që do të flasin për Ramazanin, si një muaj ndryshe.”

Ajgyl Sulejman
Ajgyl Sulejman

Në programin në fjalë, kryetarja e AAG-së, Ajgyl Sulejman, tha “Ashtu siç Zoti nuk ka krijuar asgjë pa një synim, Ramazanin e krijoi si mundësi për ta rregulluar raportin me Krijuesin dhe për të përmirësuar raportet me njerëzit.”

Ajo përmendi 5 nga mirësitë që e shoqërojnë këtë muaj, edhe atë: erën e gojës së agjëruesit, që vlerësohet si më e mirë se era e miskut; faktin se peshqit bëjnë dua për agjëruesit; zbukurimi i Xhehnetit gjatë këtyre ditëve, për agjëruesit; burgosja e shejtanëve si dhe shpallja e Kur’anit, si simbol i lapsit dhe dijes. Ajo ftoi të meditojmë të paktën vetëm mbi këtë të fundit. “Ta njohim vetveten!… Të mos dalim nga ky Ramazan ashtu siç kemi hyrë!”- porositi Ajgyl dhe inspiroi me fjalët: “Bashkarisht ne si gra mundemi!”

Esma Sherifi
Esma Sherifi

Ndërkaq  me sqarimin “Çdo vit aktivitetet për muajin Ramazan i kemi realizuar nën një moto të caktuar, si: ‘Ramazani- muaji i lirisë’ apo ‘Ramazani- muaji i shpresës’, ndërsa këtë vit zgjodhëm moton ‘Ramazani-një muaj ndryshe’. Vendosëm kështu për shkak se në vetë ajetin, me të cilin besimtarët obligohen të agjërojnë theksohet: ‘agjëroni ashtu si popujt tjerë, me qëllim që të bëheni të devotshëm’, që nënkupton se duhet të ndryshojmë.”- e filloi ligjeratën e saj Esma Sherifi, përgjegjëse për FRI-sektori i femrave, për tërë territorin e Maqedonisë. Kështu, ajo foli rreth sferave të jetës, që i ndryshon Ramazani me ardhjen e tij, duke përcjellur njëkohësisht mesazhe e këshilla të dobishme.

“Ramazani ndikon që jeta e besimtarëve të ndryshojë në sfera të ndryshme. Si në aspektin e adhurimeve ashtu edhe atë të bamirësisë. Agjëruesi arrin të mendojë për të tjerët ashtu siç thoshte Omeri r.a. ‘Tash që agjërojmë e ndjejmë urinë dhe etjen por e dijmë afatin, pra e dijmë se kur do të ngopemi, kështu i kujtojmë ato që janë të etur e të uritur, por nuk e dijnë kohën se kur do të ngopen.’ Besimtarët shtojnë bamirësinë, nën bindjen se pasuria e tyre në atë mënyrë nuk do të pakësohet. Poashtu shtohet durimi. Ndërsa psikologët kanë konstatuar se nëse njeriu 6-21 ditë vazhdimisht e bën një punë, kjo ndikon që ai të ndryshojë e të kultivojë vlera te vetvetja… Gjatë këtij muaji ka ndodhur një eveniment shumë i rëndësishëm: Allahu xh.sh. dëshiroi ta bashkojë mesazhin e qiellit me tokën, pra zbriti Kur’anin. E Kur’ani nuk është përrallë, por është udhëzues, rregullues i jetës tonë. Andaj ky Ramazan duhet të ndikojë që të jemi më afër Kur’anit.”-tha dhe e ilustroi me shembullin e një prej tabiinëve, i cili e lexonte Kur’anin nga fillimi deri në fund për çdo ditë, por u sëmur nga gangrena. Duhej t’ia prenin këmbën, por në vend të anestezionit ai iu kishte bërë mjekëve një kërkesë: ‘Ftoni një lexues të mirë të Kur’anit dhe le të mos ndalet duke lexuar. Kur të më skuqet fytyra e të më hapen sytë drejt qiellit mund lirisht të filloni me operacionin.’ Dhe më pas tabiini kishte deklaruar se aq shumë ishte koncentruar duke dëgjuar tjetrin që po lexonte e ishte thelluar aq shumë, sa që nuk kishte ndjerë asgjë gjatë operacionit.

Sipas saj, Ramazani ndikon edhe në planin familjar. Ashtuqë i bashkon familjet në iftar, syfyr dhe ibadete, që rëndom rrallë mblidhen për ushqim të përbashkët (për shkak të jetës dinamike dhe angazhimeve). “Ramazani i bën myslimanët më të organizuar dhe i afron mes vete. Ja më herët nuk kishim rast të shihemi, por ky iftar na mblodhi pranë njëra-tjetrës! …Ky muaj duhet të na bëjë vetëkritike, të jetë përgatitje për 11 muajtë tjerë, që të qëndrojmë larg harameve dhe asaj që nuk e kënaq Allahun xh.sh.”-përfundoi Esma.

FRI-AAG

Përndryshe, sipas Hafijes “Edhe këtë vit, Forumi Rinor Islam – Dega në Kumanovë, ka organizuar aktivitete të shumta e nga më të ndryshmet. Theksojmë Shportën e Ramazanit, Netët e Kulturës Islame, që filluan me iftarin e madh në shesh të qytetit, vazhduan më pastaj natën e dytë me prezentimin e disa dokumentareve dhe përfunduan me Mbrëmjen Kuranore. Organizuam natën e tretë poashtu në shesh të qytetit, ku hafëzllarët ishin lexues të shquar nga Republika e Turqisë. Aktivitete të ndryshme ligjërata, iftare emisione në radio dhe Tv kanë filluar që në fillim të muajit Ramazan e do të vazhdojnë deri në fund të tij. “.

Ndërkohë AAG, për muajin e shenjtë, përveç iftareve në Shkup, Tetovë e Kumanovë ka vendosur bilborde dhe ka transmetuar dy radioemisione. Për Festën e Bajramit do të organizojë një koktell për fëmijë.

AAG është themeluar për qëllim: Inicimin, përcjelljen dhe studimin e çështjeve për përmirësimin e pozitës së grave në vend, avancimin e tyre në shoqëri dhe rritjen e rolit të tyre në zhvillimin e gjithmbarshëm; mbrojtjen e dinjitetit dhe integritetit të gruas. Gjatë katër viteve të ekzistimit të saj, AAG-ja ka ndjekur së afërmi dhe ka reaguar ndaj të gjitha dukurive dhe ngjarjeve ne vend që kanë prekur çështjen e gruas. Ka organizuar trajnime e seminare për studente, ka shënuar me ligjërata e tribuna ditët ndërkombëtare të lidhura me çështjen e gruas, debate për përmirësimin e marëdhënieve ndërfetare dhe ndëretnike etj./Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Back to top button