Robertson: Maqedonia në NATO gjatë Samitit të Londrës

Sekretari i mëparshëm i NATO-s, Xhorxh Robertson dhe Dejmon Uilson, zëvendëskryetar i Këshillit Atlantik të SHBA-së, dje në tribunën në Uashington shprehën mbështetje për pranimin e Maqedonisë në NATO në samitin e ardhshëm të organizatës të planifikuar për vitin 2014 në Londër. 

“Shpresoj se Maqedonia do të marrë anëtarësim në NATO. Ajo ka plotësuar gjithçka që nevojitet që të bëhet anëtare dhe duhet të jetë pjesë e familjes së NATO-s”, deklaroi Robertson në bisedën me Radiotelevizionin e Maqedonisë. 

Ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s ka shtuar se pret që zgjerimi të jetë një nga temat në samitin në Londër. Greqia parandaloi që kjo temë të vendoset në samitin e vitit të kaluar në Çikago. 

Uilson, i cili së shpejti do ta vizitojë Maqedoninë, për RTVM-në deklaroi se në këtë moment më me rëndësi është që shtetet me ndikim në NATO, si SHBA-ja, Gjermania, Franca dhe Britania të angazhohen për zgjidhjen e kontestit me emrin. 

“Këshilli tani më është caktuar dhe me këtë është krijuar mundësi diplomatike që SHBA-ja, Gjermania, Britania, Franca, Italia dhe vende të tjera të kyçen dhe të punojnë me grekët dhe me popullin e Maqedonisë, që përfundimisht të gjendet zgjidhje për kontestin. Nuk është e sigurt nëse do të arrihet zgjidhje, por shpresoj se samiti i NATO-s do të krijojë mundësi për këtë”, deklaroi Uilson.

Lajme të ngjashme

Back to top button