Shtrëngohen kundër rreziqeve

SHBA-ja do të instalojë një radar të ri antiraketor në Japoni dhe do të dislokojë fluturake vëzhguese në Paqësor si pjesë e një modernizimi të aleancës mbrojtëse Uashington-Tokio.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Japonia janë marrë vesh që të modernizojnë aleancën e tyre mbrojtëse për herë të parë në 16 vjet për të adresuar shqetësimet në rritje nga programi bërthamor i Koresë së Veriut, terrorizmi global, ndërhyrjet kibernetike dhe rreziqet e tjera të shekullit 21, ka shkruar “Reuters”. Vendimi për të modernizuar aleancën amerikano-japoneze vjen pas vendimit të presidentit Barack Obama për të ekuilibruar strategjikisht forcat amerikane në rajonin Azi-Paqësor pas nja dymbëdhjetë vjet lufte në Irak dhe në Afganistan.

ëshira e Uashingtonit që Japonia të marrë një rol më të madh në mbrojtjen e saj përputhet me ngritjen e kryeministrit nacionalist Shinzo Abe, i cili po dëshmon një qasje më kategorike karshi çështjeve të sigurisë, si një konflikt territorial me Kinën dhe rreziku nga Koreja fqinje e Veriut.
“Objektivi ynë është një aleancë më e balancuar dhe më efektive”, ka thënë sekretari amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel, gjatë një konference për media pas takimit të parë “2+2” në Tokio. Ai është shoqëruar nga sekretari i Shtetit, John Kerry; ministri i Jashtëm i Japonisë, Fumio Kishida; dhe ministri i Mbrojtjes, Itsunori Onodera. Dy vendet janë zotuar në një deklaratë 10-faqëshe për të rishkruar rregullat e tyre të bashkëpunimit në fushën e sigurisë, për të dislokuar fluturake të telekomanduara amerikane në Japoni, si dhe për t’i adresuar problemet në hapësirën kibernetike.

Ministrat janë pajtuar për të vënë një sistem radari për raketa në bazën ajrore Kyogamisaki, në Kioto, në perëndim të Japonisë, dhe e kanë formalizuar një vendim për t’i zhvendosur 5.000 marinarë amerikanë nga ishulli japonez i Okinavës në territorin amerikan të Guamit në Paqësor.
Vendimi për të forcuar radarët antiraketorë në Japoni dhe për t’i zhvendosur marinarët në Guam ishte bërë i ditur më parë, mirëpo kumtesa e përbashkët e ka saktësuar lokacionin e sistemit të ri antiraketor për herë të parë dhe ka specifikuar se sa do të kontribuojë Japonia për zhvendosjen e trupave. Tokio është pajtuar të japë 3.1 miliardë dollarë për të ndihmuar rreth zhvendosjes së marinarëve amerikanë nga Okinava në Guam, ku prania e tyre shpesh ka qenë burim fërkimesh me qeverinë dhe me popullatën lokale. Zhvendosja pritet të kushtojë gjithsej 8.6 miliardë dollarë.

Zyrtarët e Departamentit amerikan të Mbrojtjes dhe Departamentit amerikan të Shtetit thonë se vendndodhja e radarit të ri antiraketor, i cili pritet të instalohet brenda një viti, do të ndihmojë për të përmirësuar monitorimin e raketave të lëshuara drejt Japonisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Marrëveshja amerikano-japoneze gjithashtu bën thirrje për përpjekje shtesë për t’i ristrukturuar forcat amerikane në Japoni dhe për t’ia kthyer tokën komuniteteve lokale për të garantuar qëndrueshmërinë politike të pranisë së mbrojtjes amerikane në vend. Ministrat janë pajtuar edhe për të rishkruar rregullat për Bashkëpunimin për Mbrojtje për herë të parë që nga viti 1997.

Lajme të ngjashme

Back to top button