Kriza në Maqedoni: E hëna, edhe një takim i dështuar apo sukses?

Johanes Han nuk do të vijë në takimin e liderëve të Maqedonisë që do të mbahet të hënën e ku do të bëhen përpjekjet e fundit që të arrihet marrëveshje mes liderëve të opozitës dhe pushtetit për tejkalimin e krizës. Si do të reflektohet kjo në bisedimet mes liderëve dhe çfarë pritet nga ky takim?

Pozita të ngurta

VMRO DPMNE-ja ngelet në qëndrimin që qeveria që do të organizonte zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk duhet të ketë mandat më të gjatë se 3 muaj si dhe janë të gatshëm që të pranojnë mbikëqyrës me të drejtë veto-je nga radhët e LSDM-së në 4 ministri kyçe; punë të brendshme, financa, punë dhe politikë sociale si dhe transport dhe lidhje.
Nga ana tjetër, LSDM-ja kërkon pushimin e mandatit të Gruevskit të paktën 6 muaj përpara zgjedhjeve të parakohshme parlamentare si dhe dorëheqjen e Prokurorit publik dhe krerëve të RTVM-së. Ata gjithashtu kërkojnë drejtimin e disa nga ministrive kyçe ku në mënyrë analoge VMRO DPMNE-ja do të kishte të drejtë mbikëqyrjeje.

Çfarë të pritet?

Njohësit e çështjeve politike thonë se mungesa e Han në këtë takim ka të bëjë me eksperiencën e hidhur që kishte gjatë takimit të fundit të realizuar në Shkup.

Ish ambasadori Nano Ruzhin thotë se ndërkombëtarë kuptuan qëllimet e Gruevskit dhe prandaj u tërhoqën me një anë për momentin

“Para se të gjithash  qeveria dhe opozita janë në një proces, në të cilin Gruevski këmbëngul që të fitojë kohë dhe kështu sa më shumë të zgjas pozitën e tij në krye të qeverisë. Ai po përdor metoda të ndryshme dhe gjithashtu po jep premtime të rrejshme që të mbetet në qeveri deri në zgjedhjet e parakohshme. Nga ana tjetër Zaevi thotë se atë që e ofron Gruevski nuk ka kredibilitet për zgjedhje të drejta, prandaj edhe këmbëngul që ai sa më shpejtë të larohet nga funksioni i tij. Por situata nuk është aq e thjeshtë sepse largimi i Gruevskit do të thotë rënia psikologjike e VMRO-së dhe ngritja e LSDM-së. Këtë e kuptuan edhe përfaqësuesit e huaj. Sigurisht edhe ata mendojnë që ku problem i brendshëm mund të jetë mjaft i komplikuar. Johanes Han e di që rapsodi ballkanik është i paparashikueshëm dhe rëndë të zgjidhet dhe prandaj mendon se në këto rrethana është më mirë që të mos jetë prezent në takim. Gjithashtu në emër të tij u drejtuan disa ofendime që janë mjaft ofenduese për një komisioner të BE-së” tha për Portalb, Ruzhin.

Ai shtoi se nuk beson që do të ketë kompromis dhe që nuk do të arrihet një i tillë pa angazhimin e diplomacisë amerikane.

“Personalisht mendoj që të hënën nuk do të arrihet ndonjë kompromis, por është e mundur që të caktohet datë për bisedimet e radhës. Si duket do të jetë e nevojshme edhe angazhimi i diplomacisë amerikane për të gjetur zgjidhje për problemin tonë”, shtoi Ruzhin.

Pa shpresë për marrëveshje

Profesori universitar Albert Musliu Për Portalb thotë se nuk beson që në këtë takim do të arrihet ndonjë marrëveshje mes liderëve partiak.

“Nuk ma merr mendja që do të arrihet ndonjë kompromis apo marrëveshje edhe në takimin e ditës së hënë. Sa i përket mungesës së Han në këtë takim, besoj që ka të bëjë me eksperiencën e hidhur që kishte në takimin e më hershëm. Palët dëshmuan se janë në gjendje të keqpërdorin çdokënd për interesa të tyre. Kriza është thelluar shumë”, tha Musliu.

Ai shtoi se nuk beson që do të arrihet ndonjë marrëveshje pa ndikimin e përfaqësuesve të lartë të SHBA-së.

“Shpresoj që së shpeti të gjendet një zgjidhje, por nuk besoj që një gjë e tillë do të ndodh, prandaj mendoj se përfaqësimi i BE-së dhe SHBA-së duhet të jetë në nivel më të lartë”, shtoi Musliu. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button