Edhe Peruja e arrin gjysmëfinalen

Argjentina, Brazili e Kili synojnë trofeun, por tashmë një kombëtare që feston njësoj si ta kishte fituar Kupën e Amerikës është Peruja.

Kombëtarja modeste ka treguar se nuk ka shkuar për shëtitje në Kili, sepse pas figurës së mirë në fazën e grupeve, ku pësoi një humbje të pafat ndaj Brazilit, tashmë ka siguruar një vend në gjysmëfinale, pas fitores 3-1 kundër Bolivisë.

Heroi i ndeshjes ka qenë sulmuesi Paolo Guerrero, i cili jo më kot thërritet “Predator”, sepse i vetëm vendosi fatet e ndeshjes, me 3 gola, nga të cilët dy që në 23 minutat e para të ndeshjes.

Ish-sulmuesi i Bajernit të Mynihut tashmë ka fituar eksperiencë të jashtëzakonshme, që e ndihmon shumë kur luan me kombëtaren, ku është kthyer në një hero, pas trigolëshit të së enjtes në mbrëmje.

Në këtë mënyrë, Peruja me meritë kalon turin dhe do të ndeshet me Kilin vendas në Santiago, të hënën, ndërsa Bolivia kthehet në shtëpi, e vetëdijshme se edhe çerekfinalet ishin një sukses i madh.

Lajme të ngjashme

Back to top button