Jeta e Ibrahimit mes 9 motrave dhe një vëllai, katër misionet e ish-komandos në Afganistan

Vëllai: Telefonata e fundit para operacionit, nuk më tregoi se do të shkonte në Lazarat. Mori medalje trimërie në ushtri

Motrat – Nëntë motrat, shtatë prej të cilave janë të martuara, lëshojnë kujën vajtuese, atje në shtëpinë dykatëshe

Nëna – Nëna e Ibrahimit dilte shpeshherë te porta kryesore dhe thërriste emrin e të birit, me zërin e mbytur në ngashërime

Misionet
– Ibrahimi ishte angazhuar fillimisht në vitin 2004 në forcat e ushtrisë, më pas me misionet në Afganistan, ku kishte qenë katër herë

RENEA – Tetorin e vitit të kaluar, pas kurseve përkatëse dhe trajnimeve për sa i përket Policisë së Shtetit, ai kishte kaluar në Repartin RENEA

RRËFIMI

Telefonata – Telefonata e fundit kishte qenë ajo e orës 00:00, po ditën e martë, kur Ibrahimi e kishte siguruar të vëllain se ishte mirë

Operacioni – “Atë ditë folëm disa herë në telefon, por nuk na tha se ishte në Lazarat, sepse nuk u lejohet të tregojnë vendin”, thotë Denisi.

Ankthin për fshehtësinë e aksionit në Lazarat, 31-vjeçari Ibrahim Basha ua kishte lehtësuar me një telefonatë njerëzve të tij aty pas mesnatës të së martës. “Unë jam shumë mirë, po ju a jeni mirë?” Këto ishin fjalët e fundit të efektivit të RENEA-s, me gradën inspektor, i nisur me mision sekret që në orët e para të ditës së martë, për të mos u kthyer i gjallë prej andej.

Një plumb snajperi në kokë, sapo zbriti i pari nga furgoni, i mori jetën të riut, që vetëm para tetë muajsh i ishte bashkuar repartit elitë RENEA, pas misioneve të suksesshme si komando në Afganistan, ku kishte marrë medalje trimërie dhe veprimtari të dalluar. Dhembja që ka lënë pas ikja e djalit të Bulçeshit, në zonën e Kamzës, nuk ka fjalë të përshkruhet. Ikja e tij në lule të jetës ka lënë pika loti në sytë e miqve, bashkëfshatarëve dhe shokëve të tij, të cilët dje i qëndronin pranë familjes, në këto ditë të vështira.

Denis Basha, vëllai i vetëm i të ndjerit, të cilit i ka rënë pesha e shtyllës së familjes, thotë për gazetën “Shqip” se telefonata e fundit me Ibrahimin ishte pas mesnatës së ditës së martë, teksa shtetit i kërkon zbardhjen e ngjarjes dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë. Nëntë motrat, shtatë prej të cilave janë të martuara, lëshojnë kujën vajtuese, atje në shtëpinë dykatëshe, kurse ulërimat therëse të nënës tronditin çdo shpirt njeriu që ndodhet në rrezen e banesës.

Ajo del shpeshherë te porta kryesore dhe thërret emrin e të birit, me zërin e mbytur në ngashërime rrëqethëse. Të gjithë prisnin dje paradite trupin e pajetë, për të vajtuar sipas zakonit dhe t’i kryejnë nderimet e fundit djaloshit. Pas dërgimit, fillimisht në Spitalin e Gjirokastrës, me shpresën për të bërë të pamundurën, trupi i pajetë u soll direkt në Mjekësinë Ligjore, në Tiranë.

Burimet thanë se nga ekspertiza rezultoi se një plumb i kalibrit të madh në kafkë i ka sjellë vdekjen, vetëm pak çaste pas goditjes. Aty rreth orës 18:30, trupi i pajetë u tërhoq nga familjarët. Ditën e sotme pritet që me ceremoni shtetërore ai të përcillet për në banesën e fundit. Ndërkaq, në vijim pritet mbledhja e komisionit shtetëror, për shpalljen “Dëshmor i Atdheut”.

Vëllai

Denisi është vëllai i vetëm i Ibrahimit. I mbetur tashmë si djali i vetëm i familjes, i riu rreth të 20-ave ka peshën e pritjes dhe përcjelljes të njerëzve që shkojnë në shtëpinë e tij. Siç rrëfen për gazetën, Ibrahimi ishte nisur për një mision sekret në orën 07:00 të ditës së martë. “Atë ditë folëm disa herë në telefon, por nuk na tha se ishte në Lazarat, sepse nuk u lejohet të tregojnë vendin”, thotë Denisi.

Telefonata e fundit kishte qenë ajo e orës 00:00, po ditën e martë, kur Ibrahimi e kishte siguruar të vëllain se ishte mirë dhe kishte pyetur për familjen, që a janë mirë të gjithë. Më tej komunikimi ishte ndërprerë. “I rashë disa herë telefonit më pas, po nuk më përgjigjej”, shprehet vëllai. Ky pohim përkon me përshkrimin zyrtar që policia i ka bërë ngjarjes, pasi gjithçka kishte nisur në orën 02:30, me kontrollet nga blutë lokalë, teksa RENEA, e cila ishte thirrur për përforcim në Gjirokastër, shkoi në Lazarat në orën 09:00. Pra, pas orës 00:00 të së martës, kur Ibrahimi foli për herë të fundit me të vëllain, ai nuk kishte mundësi kontakti telefonik, për shkak të përgatitjes së aksionit. Më tej Denisi pohon se Ibrahimi ishte angazhuar fillimisht në vitin 2004 në forcat e ushtrisë, për të vijuar më pas me misionet e suksesshme në Afganistan, ku kishte qenë katër herë. Në vitin 2011 ai iu bashkua Forcave Speciale Komando në Repartin e Zall-Herrit, ku shërbeu për më shumë se tre vjet. Tetorin e vitit të kaluar, pas kurseve përkatëse dhe trajnimeve për sa i përket Policisë së Shtetit, ai kishte kaluar në repartin RENEA

Ibrahimi

I gjithë fshati Bulçesh, në rrethinat e Kamzës, ishte ngritur në këmbë dje për të nderuar figurën e djalit zemërmirë, që nuk linte askënd pa përshëndetur, kur nisej apo kthehej nga puna. Zona krenohej me specialin e RENEA-s dhe më parë ndiheshin krenarë për komandon e ushtrisë. Shtëpia dykatëshe, ku familja Basha banonte prej vitit 1997, kishte qenë ndërtesë shtetërore. Pas kthimit të Bovillës në liqen dhe ujësjellës, familja Basha ishte shpërngulur prej andej, për të banuar në Bulçesh. Repartin e Zall-Herrit, Ibrahimi e kishte afër banesës.

Gjithkush e njihte familjen Basha si të respektuar dhe që asnjëherë nuk kishte shkaktuar probleme në zonë. Respekti për 31-vjeçarin reflektohej në dhembjen që përshfaqej në çdo ofshamë të djemve dhe burrave që e njihnin. Prej pak ditësh Ibrahimi kishte nisur agjërimin dhe madje në një postim në Facebook ai uronte besimtarët për muajin e shenjtë. Ikja e parakohshme e Ibrahimit ka lënë pas kujtimin e djaloshit që ende nuk kishte krijuar familjen e tij të vogël, por që së shpejti kishte planet për lidhje serioze. Ndoshta misioni i tij i parë si special i RENEA-s, u shndërrua papritmas në të fundmin aksion për të.

Flet xhaxhai, daja dhe miqtë e viktimës

Apeli i familjes: Shteti të bëjë drejtësi, pranga autorëve

Përpos dhembjes për vdekjen e parakohshme të 31-vjeçarit, familjarët gjejnë forcën për t’i bërë një apel të fuqishëm shtetit, për të vënë drejtësi. Vetë vëllai i viktimës, Denis Basha tha për gazetën “Shqip” se “kërkojmë nga strukturat shtetërore që të bëjnë drejtësi për ngjarjen dhe ta zbardhin sa më shpejt atë”. Ndërkaq, edhe xhaxhai i viktimës, Aziz Basha, është shprehur për mediat se “jemi të alarmuar nga ngjarja. Është fatkeqësi e madhe për familjen tonë. Kërkojmë drejtësi”. Më tej, edhe daja i të ndjerit, Nazmi Feza, është në të njëjtën linjë me të afërmit e tjerë. Edhe ai kërkon drejtësi nga shteti, ku pjesa kryesore i përket vënies para përgjegjësisë të autorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë. Edhe miqtë dhe shokët e viktimës, të cilët dje i qëndronin pranë familjes, në bisedat e tyre shprehnin njëzëri të njëjtin mendim, që banditët dhe kriminelët të arrestohen dhe gjykohen sa më parë.

Presidenti

Nishani: Fajtorët të dalin para drejtësisë

Presidenti i vendit, Bujar Nishani, i ka shprehur ngushëllime familjes së efektivit të forcave speciale RENEA, Ibrahim Basha, i cili humbi jetën në krye të detyrës në Lazarat. “Presidenti i Republikës po ndjek me shqetësim ngjarjen e rëndë që ka ndodhur në fshatin Lazarat gjatë ditës së sotme, ku ka humbur jetën Ibrahim Basha, efektiv i forcave speciale RENEA, dhe ku janë plagosur dy efektivë të tjerë. Kreu i shtetit ngushëllon familjen e të ndjerit Basha për humbjen e rëndë, si dhe i gjendet pranë të gjithë familjarëve e të afërmve në këtë ditë të rëndë për ta, ndërkohë që u uron shërim të shpejtë policëve të plagosur”, thuhet në mesazhin ngushëllues të Nishanit. Kreu i shtetit, përtej gatishmërisë së tij për t’iu ndodhur afër familjarëve të viktimës, por edhe atyre të efektivëve të plagosur, u kërkon autoriteteve ligjzbatuese që në mënyrë profesionale të bëjnë zbulimin e menjëhershëm të këtij krimi dhe vënien përpara drejtësisë të autorëve. Nishani gjithashtu u ka bërë thirrje për qetësi qytetarëve të Lazaratit në këto momente të vështira. “Presidenti Nishani dënon aktin kriminal dhe u kërkon autoriteteve ligjzbatuese që në mënyrë profesionale të bëjnë zbulimin e menjëhershëm të këtij krimi dhe vënien përpara drejtësisë të autorëve, duke u bërë njëkohësisht thirrje për qetësi qytetarëve të Lazaratit në këto momente të vështira”, thuhet në deklaratën e Presidentit Bujar Nishani./ GazetaShqip/

Lajme të ngjashme

Back to top button