Midelar: Para ndryshohet emri pastaj integrimi në BE

Këshilltari i Presidentit të Këshillit të BE-së, Luk van Midelar, ka vlerësuar se bllokimi nga Greqia i integrimit të Maqedonisë, është i padrejtë. 

Në një deklaratë për MIA, këshilltari i Herman van Rompuj, ka sqaruar se BE nuk mund të pranojë anëtare të reja nëse ato nuk kanë të mbyllur kontestet me një anëtare ekzistuese ose me një shtet pretendent për në BE. 

“BE nuk është aset që mund të përdoret gjatë zgjidhjes së kontesteve dypalëshe, e që kanë të bëjnë me kufijtë, me emrin dhe me ‘botën e vjetër’ të shteteve sovrane. Prandaj, BE mësoi në mënyrën më të rëndë, siç është shembull me Qipron, se çështjet e tilla duhet zgjidhur para se njëra palë, ose të dyja, të anëtarësohen në BE. Nëse kontesti territorial në mes Gjermanisë dhe Francës u zgjidh me marrëveshje në vitin 1950, atëherë edhe ky kontest që ka Maqedonia duhet zgjidhur përpara integrimit”, ka deklaruar këshilltari i Rompujt. 

Ai ka thënë më tej, duke e cilësuar si të shpërpjesëtuar, se ndikimi që ushtron Greqia nga pozita e shtetit anëtar, është i padrejtë. 

“Por, le të marrim një shembull më pozitiv: kontesti në mes Sllovenisë dhe Kroacisë tregoi se presioni politik mund të ushtrohet edhe mbi shtetin i cili është anëtar, në këtë rast Sllovenia, dhe kësisoj të realizohet e premtuara”, ka theksuar Midelar.

Lajme të ngjashme

Back to top button