Filloi regjistrimi nëpër shkolla të mesme

Sot dhe neser në 106 shkolla të mesme të vendit do të nis pranimi i dokumenteve të kandidatëve për regjistrim në vitin shkollor 2015/2016, në bazë të Konkursit që paraprakisht ka publikuar Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH).

Për këtë vit janë planifikuar të formohen 1042 paralele me 35428 vende për mësim në gjuhën maqedonase, shqipe, ture dhe serbe. Ajo që bie në sy edhe për këtë vit shkollimi është ngushtimi i hapësirës për shkollim në gjuhën shqipe. Kështu nëse në nivel të shkollave fillore, numri i nxënësve shqiptarë që mbarojnë klasën e nëntë llogaritet të jetë në kuotat e mbi 30 përqindëshit, në kuadër të Konkursit për regjistrim në vitin e ardhshëm shkollor këto kuota zbresin në nivelin e 19 përqindëshit.

Për paralelet me mësim në gjuhën maqedonase janë planifikuar të formohen 852 paralel me 28986 vende (81.7 për qind e numrit të përgjithshëm), në gjuhën shqipe 196 paralele me 6664 vende (18.8 për qind), në gjuhën turke 23 paralele me 782 vende (2.2 për qind) dhe në gjuhën serbe një paralele me 34 vende. Sa i përket shkollimit të mesëm në gjuhën shqipe numri më i madh i paralele janë lejuar të formohen në Shkup, edhe atë 89 paralele të shpërndara në 18 shkolla me 3026 vende gjithsej.

Pastaj sipas numrit më të madh të vendeve me mësim në gjuhën shqipe, vijnë në radhë Tetova me 66 paralele, Kumanova me 34 paralele, Gostovari me 29, Struga me 18. Dibra me 6, Vrapçishti 5, Likova dhe Dollneni me nga 4, Manastiri dhe Velesi me nga 3 si dhe Ohri dhe Resnja me nga 2 paralele. Gjatë afatit të qershorit, paraqitja dhe regjistrimi i nxënësve do të realizohet në dy afate, i pari më 22 dhe 23 qershor, ndërsa i dyti më 29 dhe 30 qershor.
Rezultatet nga regjistrimi i paraqitjes së parë që do të zhvillohet tani, të hënë dhe të martën, si dhe vendet e lira do të publikohen në datën 24 qershor.

Në shkollat ku do të paraqiten më tepër kandidatë se numri i caktuar me Konkurs do të organizohen testime kualifikuese më 25 qershor me atë që rezultatet do të duhet të publikohen një ditë ëm vonë, pra më 26 qershor 2015.

Lajme të ngjashme

Back to top button