Siemoniak: Maqedonia duhet të merr ftesë për NATO

Ish-republika jugosllave e Maqedonia dhe Mali i Zi duhet të ftohen të anëtarësohen në NATO kur kjo e fundit të mbajë samitin e radhës në Varshavë më 2016, ka thënë ministri polak i Mbrojtjes, Tomasz Siemoniak.

Një hap i tillë do të mund të tensiononte edhe më tej marrëdhëniet mes aleancës perëndimore dhe Rusisë, që edhe tashti janë të tensionuara rreth krizës në Ukrainë.

“Do të ishte lajm i mirë nëse do t’u dërgoheshin ftesat nga samiti i NATO-s në Varshavë për Maqedoninë dhe Malin e Zi”, ka thënë Siemoniak në një konferencë për media në qytetin polak Wroclaw, raporton Reuters.

“Me sa duket, samiti i NATO-s në Varshavë, nëse nuk e përfshin këtë element, nuk do të kënaq shumë kombe, përfshi edhe Poloninë”.

Maqedonia dhe Mali i Zi dëshirojnë të ndjekin hapat e Shqipërisë dhe Kroacisë, të cilat u anëtarësuan në NATO më 2009.

Por Rusia ka kundërshtuar çdo zgjerim të NATO-s me kombet ish-komuniste të Evropës lindore dhe juglindore, transmeton Koha.net.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë vitin e kaluar se zgjerimi i NATO-s me ish-republikat jugosllave, si Bosnjën, Maqedoninë e Malin e Zi, do të mund të shihej si provokim.

Në samitin e saj të fundit më 2014 në Wales, aleanca kishte aprovuar planet e gjera për të shtuar mbrojtjen në Evropën lindore.

Samiti i Varshavës do të mbahet më 8 dhe 9 korrik, 2016

Lajme të ngjashme

Back to top button