Përfunduan garat republikane të vrojtuesve të Maqedonisë

Lidhja e vrojtuesve-skaut të Maqedonisë për të njëzetën herë më radhë mbajti, gara në nivel republikan mes vrojtuesve nga i gjithë shteti  në Kërçovë, gjegjësisht në fshatin Drogomisht  i Vogël. Nikoqir të kësaj ngjarje ishin Grupi i Vrojtuesve “Bashkimi” nga Kërçova të cilët janë kujdesur për organizimin e garave.

Garat zgjatën për tri ditë me radhë kurse ajo çfarë duhej të bënin vrojtuesit-skautët ishte që me shfrytëzimin e hartës dhe busullës të orientoheshin në pikat e caktuara nga udhëheqësit e tyre, të ecnin deri te ajo pikë dhe pasdite të kthehen në kampet e tyre të qëndrimit. Udhëtimi i zgjaste më orë të tëra duke kaluar më këmbë malet që rrethojnë Kërçovën dhe fshatrat. Në mbrëmje, ato mblidheshin dhe argëtoheshin përreth zjarrit në formë piramide që është edhe simbol i vrojtuesve në të gjithë botën.

Garuesit ishin të ndarë në dy kategori, kategoria e vrojtuesve të rritur dhe kategoria e vrojtuesve të vegjël dhe çdonjëra prej tyre përbëhej nga dhjetë ekipe.

Sekretari i përgjithshëm i Lidhjes së Vrojtuesve të Maqedonisë, Goran Georgiev, njëherit edhe Kryetarë i Komisionit të përgjithshëm, për Portalb, tha: “Këtë vit shënohet 20 vjetori i këtyre garave tradicionale në nivel republikan kurse formimi i grupeve të para të vrojtuesve në Maqedoni është bërë para 60 vitesh. Deri tani organizimi shkon në rregull dhe e shoh që anëtarët kalojnë mjaftë mirë.” 

Ndërkaq, Vesel Jonuzi, kryetar i Grupit të Vrojtuesve “Bashkimi” shtoi që ky është edhe qëllimi i vrojtuesve në përgjithësi. “Qëllimi kryesor i këtij organizimi është që të krijojmë një afërsi mes anëtarëve pa pasur dallime etnike, fetare apo të tjera. Me këtë anëtarët përgatiten që të punojnë në grupe dhe të jenë qytetarë aktiv, të bëjnë aktivitete fizike, të dinë të orientohen në natyrë dhe mbi të gjitha të shoqërohen njëri me tjetrin.” – tha Jonuzi, si nikoqir dhe udhëheqës i këtij organizimi i cili shtoi se për këtë ka pasur edhe përkrahjen e Komunës së Kërçovës, përfaqësues të së cilës i kanë vizituar gjatë qëndrimit të tyre treditor në këto kampe.

Në kategorinë e vrojtuesve të vegjël, të tri vendet e para i takuan Grupit të Vrojtuesve Mirko Mileski. Nga grupet e vrojtuesve të rritur, në kategorinë e meshkujve, vendi i parë i takoi Grupit të Vrojtuesve “Galeb”, vendi i dytë grupit “Jadran” dhe vendi i tretë përsëri “Galeb”. Në kategorinë e femrave, vendi i parë i takoi Grupit të Vrojtuesve “MM Brico”, vendi i dytë “Galeb” dhe vendi i tretë Grupit të Vrojtuesve “Mirko Mileski”.

Lajme të ngjashme

Back to top button