Neziri: Nuk do të ketë pengesa në importin e mallrave nga Shqipëria

Sot do të zgjidhet problemi me mallrat e bllokuara nga Shqipëria që duhet të hynë në Republikën e Maqedonisë, deklaroi ministri i Ekonomisë së Republikës së Maqedonisë, Bekim Neziri.

Ai tha se çështja e bllokimit të mallrave disa ditë në pikën kufitare është diskutuar në seancën e sotme të Qeverisë, me ç’rast është konkluduar se rastet e tilla të mos përsëriten dhe në pajtueshmëri me dispozitat ligjore të jepen lejet e nevojshme.

“Qeveria ka obliguar institucionet përkatëse që t’i risin kapacitet e tyre dhe të mos ketë vonesa në kryerjen e procedurave të nevojshme për hyrjen e mallrave në vendin tonë”, tha Neziri.

Ai shtoi se ky rast nuk do t’i prekë marrëdhëniet e mira tregtare me Shqipërinë, por edhe kujton transportuesit se nëse ka bazë për ankesë, mund të kërkojnë kompensimin e humbjeve.

“Nëse ka devijime prej asaj që është paraparë me ligj, ne që jemi anëtarë të Qeverisë si përfaqësues të Bashkimit Demokratik për Integrim do e ndjekim çdo hap, dhe kuptohet se nëse ka dëme të bëra gjatë këtyre kontrolleve, kuptohet se çdo importues apo kompani ka të drejtë të kërkojë kompensim për dëmet”, theksoi Neziri.

Ai potencoi se një situatë e tillë nuk është krijuar qëllimisht, në mënyrë selektive pasi procedura është e njëjta për të gjithë. Një gjë të tillë e përsëriti edhe zëvendësministri i Bujqësisë, Vanço Kostadinovski.

“Procedura, standardet janë ato. Neve u vërtetuam personalisht nga drejtori i laboratorit fitosanitar. Ajo që është e rëndësishme është se në momentin e parë që dalin analizat ato menjëherë dorëzohen. Nuk ka ndonjë tendencë por është një procedurë e rregullt që fillon prej 1 qershori. Do ta ndjekim situatën gjatë ditëve në vazhdim dhe nëse paraqitet çfarëdo problemi, patjetër që dikush do të mbajë përgjegjësi nëse nuk respekton atë për të cilën është i obliguar”, tha Kostadinovski.

Ministri i Ekonomisë, sot i ka vizituar transportuesit të mallrave nga Shqipëria, me ç’rast theksoi se nuk do të ketë pengesa në importin e mallrave nga Republika e Shqipërisë në vendin tonë.

Lajme të ngjashme

Back to top button