Lëvizja për reforma: Të formohet komision parlamentar për hetimin e aksionit policor në Kumanovë

Lëvizja për reforma në PDSH apelojmë tek deputetët shqiptar të ngrenë iniciativë në Parlament për formimin e një komisioni parlamentar për hetimin e aksionit policor në Kumanovë.

“Apelojmë tek deputetët shqiptar, tek të gjithë ata që nuk kanë harruar që përpara se të kenë përkatësi partiake, kanë përkatësi kombëtare dhe përfaqësojnë shqiptarët, të ngrenë iniciativë në Parlament për formimin e një komisioni parlamentar për hetimin e aksionit policor në Kumanovë, respektivisht me ndërhyrjen dhe formën e ndërhyrjes, me tejkalimin serioz të kompetencave nga ana e organeve të shtetit, vlerësimin e dëmit material dhe shpirtëror si pasojë e terrorit që institucionet ushtruan ndaj popullatës civile duke mos krijuar korridor për evakuim të civilëve nga lagja ku u zhvilluan luftimet. Suspendimi i shtetit të së drejtës, gjykatave, avokatit të popullit nga ana e koalicionit qeverisës imponon nevojën e ndërhyrjes nga ana e organit më të lartë ligjvënës, i cili përmes interpretimit të akteve ligjore, duhet të nxjerrë para përgjegjësisë ligjore çdo qytetar që cënon dispozitat ligjore, madje qoftë edhe funksionarë publik. Komisioni duhet të shqyrtojë torturat që iu është bërë të burgosurve dhe përgjegjësit të përballen me ligjin. Të shqyrtohet autenticiteti i dokumentit të MPJ-së për listën e të burgosurve, ku ndodhen dy emra që është raportuar të jenë vrarë, pas arrestimit dhe të ndërmerren të gjithë veprimet e tjera të nevojshme me qëllim të funksionimit të shtetit dhe së drejtës. Ky komision duhet të udhëhiqet nga deputet shqiptar dhe i njëjti duhet të krijojë kushte për hetim ndërkombëtar për “rastin e Kumanovës”, duke mos lejuar që pjesë e kësaj të jenë strukturat shtetërore që cenuan të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë dhe Konventa Ndërkombëtare. Në të kundërtën, vlerësojmë se bashkë-autorë të krimit institucional janë të gjithë pushtet-mbajtësit të cilët pengojnë sundimin e së drejtës dhe ne do të iniciojmë që të gjithë shqiptarët të kërkojnë përmes peticionit që kjo çështje të vendoset në rend dite në seancë të Parlamentit”, thonë nga Lëvizja për reforma në PDSH .

Lajme të ngjashme

Back to top button