Reagon KE: Han nuk ka thënë se Qeveria aktuale duhet ti organizojë zgjedhjet

Deklarata e komisionarit evropian për zgjerim Johanes Han në Uashington u shtrembërua nga mediat pro-qeveritare, të cilat pretendonin që komisioneri Han të ketë deklaruar që qeveria aktuale do t’i organizojë zgjedhjet e reja, prillin e ardhshëm. Edhe pse ky lajm u tërhoq më vonë, shumë dilema u hapën edhe rreth deklaratës se zgjedhjet e fundit të monitoruara nga OSBE-ja kanë qenë pozitive. Si pasojë lideri i LSDM-së, Zoran Zaev nuk do të shkojë në Bruksel.

Megjithatë, Komisioni Evropian reagon duke kundërshtuar spekulimet.

“Jo, komisionari nuk ka thënë se qeveria aktuale duhet t’i organizojë zgjedhjet e parakohshme. Komisionari Hahn vetëm ka përsëritur atë çfarë u ra dakord në takimin në Shkup. Ajo është se do të ketë zgjedhje të reja në prill 2016, do të ketë një përforcim të rregullave zgjedhore dhe që duhet të identifikohen parregullsitë e zgjedhjeve të mëparshme. Komisioni Evropian do të lehtësojë reformat ligjore dhe se palët kanë treguar gatishmëri që javën e ardhshme të vendosin kush do bëjë organizimin e qeverisë e cila duhet të përgatisë zgjedhjet”, kanë thënë nga Komisioni Evropian për Nova TV.

KE shtoi se kjo nuk është puna e Komisionit, por e partive politike, të cilat vendosin mbi strukturën e qeverisë e cila do të organizojë zgjedhjet.

Komisoneri Evropian Johanes Han gjatë një fjalimi në Uashington theksoi se edhe pse zgjedhjet e kaluara adresonin defekte të shumta, ato u vlerësuan përgjithësisht pozitive nga OSBE-ja.

Zëri i Amerikës botoi një video nga deklarata e sotme e Han-it.

“Unë jam i plotësisht i ndërgjegjshëm rreth situatës aktuale në vend dhe kishte shumë diskutime mes opozitës dhe qeverisë për kohën më të përshtatshme për zgjedhjet e reja. Sigurisht ka nevojë për përgatitjen e mirë të tyre, ka disa defekte, duhet të ndryshojmë Kodin Zgjedhor, duhet të shqyrtojmë listat zgjedhore dhe disa elemente të tjera. Por gjithashtu dua ta theksoj se zgjedhjet e fundit në vend ashtu sikurse zgjedhjet e mëhershme u monitoruan nga OSBE-ja dhe kishte një raport përgjithësisht pozitiv, natyrisht adresonte disa defekte por përgjithësisht ishte raport pozitiv dhe këto zgjedhje u mbajtën vetëm në prill të vitit të kaluar”, deklaroi Johanes Han, Komisionari evropian për fqinjësi dhe zgjerim.

Lajme të ngjashme

Back to top button