Merkel më 9 korrik në Ballkan, anashkalon Prishtinën

Kancelarja gjermane Angela Merkel do të vizitojë Bosnjën dhe Hercegovinën më 9 korrik, bënë të ditur televizioni “N1 TV BiH” duke u thirrur në burime të afërta në qeverinë Gjermane dhe atë të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Sipas këtij televizioni, Merkel fillimisht do të vizitojë Tiranën dhe Beogradin, dhe më pas do të qëndrojë në Sarajevë, ku do të marrë pjesë në varrimin e eshtrave të viktimave të luftës së Srebrenicës, por për shkak të agjendës së ngjeshur nuk do të marrë pjesë në shënimin e 20-vjetorit të masakrës së Srebrenicës, që do të mbahet më 11 korrik në Potoqar, transmeton lajmi.net.

Gjatë qëndrimit në Sarajevë, Merkel planifikon të diskutojë me Kryetarin e Këshillit të Ministrave, Denis Zvizdiq dhe delegacionin boshnjak , ndërsa një drekë pune do ta ketë me anëtarët e presidencës së BeH, dhe për fund do të takohet me përfaqësues të medieve.

Gjithashtu, ajo pritet të vizitojë galerinë e Sarajevës “11/07/95”, dedikuar viktimave të krimit të korrikut të vitit 1995, nga ku do të dërgojë një mesazh personal.

Deri më sot kancelarja gjermane nuk e ka vizituar Bosnjën dhe Hercegovinën, por ka iniciuar disa veprime të rëndësishme diplomatike që synojnë stabilizimin e situatës në këtë vend dhe në rajon.

Lajme të ngjashme

Back to top button