Rusia e sigurt: Armët kimike të Sirisë, shkatërrohen në Shqipëri

Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (ONAK) në Siri në mesin e muajit nëntor do të miratojë planin e detajuar për shkatërrimin e armëve kimike siriane. Kështu ka deklaruar koordinatorja e misionit të përbashkët të ONAK, Sigrid Kaag, pas bisedimeve në Moskë me zëvendësministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergei Rjabkov. Kaag theksoi se, palët kanë forcuar idetë e mundësisë së zgjidhjes së problemit të armëve kimike siriane deri në mes të vitit 2014.

“Ne kemi besim se në mungesë të provokimeve, përpjekjeve të vetëdijshme të forcave antiqeveritare dhe sponsorëve të tyre të huaj për të penguar këtë proces, ne do të mund ta realizojmë atë në kohën e caktuar”, – shtoi Sergei Rjabkov.

Të dyja palët shprehën kënaqësinë në lidhje me përfundimin e suksesshëm të punëve në Siri për shkatërrimin e pajisjeve të prodhimit të armëve kimike, përzierjes së përbërësve të tyre dhe furnizimit të municioneve. Ata vlerësuan nivelin e lartë të bashkëpunimit të autoriteteve siriane me misionin e OKB-së dhe ONAK-ut.

Rusia deklaron se është gati të japë 2 milionë dollarë për operacionin e asgjësimit të armëve kimike siriane, i cili sipas një burimi diplomatik rus mund të ndodhë në Shqipëri.

Sipas burimeve diplomatike të cilave i referohet gazeta ruse “Kommersant”, përveç një kontributi prej 2 milionë dollarësh Moska është gati të ndihmojë dhe me transportin dhe asgjësimin e sigurt të tyre në Shqipëri, vendi aleat i ngushtë i SHBA-së.

Kimisti Bjorn Arne Xhonson, që merret prej më shumë se 30 vitesh me problemet e armëve kimike rendit dhe arsyet e përzgjedhjes së Shqipërisë për asgjësimin e lëndëve kimike, transmeton shekulli.

“Së pari, Tirana, e cila është pothuajse tërësisht e orientuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk ka gjasa t’i refuzojë kërkesën përkatëse Uashingtonit. Së dyti, shqiptarëve u premtojnë për këtë shërbim një financim mjaft të mirë. Përveç kësaj, vendi tashmë ka përvojën e një eksperimenti të tillë. Gjashtë vjet të shkuara autoritetet lokale kanë përfunduar procesin e parë në historinë botërore të çarmatimit të plotë kimik me ndihmën e Gjermanisë, Zvicrës dhe Shteteve të Bashkuara. Tirana në vitin 2007 shkatërroi rreth 16 tonë gaz Iprit (Mustard gas) dhe substanca të tjera toksike të akumuluar që në kohët e sundimit të diktatorit Enver Hoxha. Unë besoj se arsyeja e zgjedhjes së këtij vendi konsiston pikërisht në faktin se Shqipëria ka asgjësuar jo shumë kohë më parë armët e veta kimike dhe e ka bërë këtë në mënyrë plotësisht të suksesshme. Prandaj ajo është pretendentja më e besueshme, ndër gjithë vendet e tjera. Gazetat amerikane shkruajnë se Shqipërinë mund ta ndihmojë në asgjësimin e armëve kimike siriane edhe një vend tjetër – Belgjika ose Franca. Në bashkëpunim me këto shtete po zgjidhet edhe një çështje tjetër – ajo e transportimit të substancave toksike. Fillimisht ishte menduar transportimi i armëve kimike në Shqipëri me anije. Por Suedia deklaroi se ajo mund t’i çojë ato në destinacion me avion. Unë mendoj se nuk do të ishte keq që të transportohej në këtë mënyrë potenciali i armës kimike nga Siria në Shqipëri”.

Ndërkohë Turqia, Jordania dhe Norvegjia refuzojnë shkatërrimin e armëve kimike në shtetet e tyre dhe Washginton po negocion me këto tre shtete. Edhe mediat amerikane kanë shkruar se Shqipëria është në listën e shteteve ku mund të shkatërrohen armët kimike.

Arsenali i armëve kimike të Sirisë besohet se përfshin më shumë se 1.000 ton gaz nervor Sarin, agjentë squfuri dhe kimikateve të tjera të ndaluara, të depozituara në dhjetëra vende. Siria ka rënë dakord për të shkatërruar stokun e saj të armëve kimike deri në mesin e vitit 2014.

Lajme të ngjashme

Back to top button