Brahimi: S’ka Gjenevë pa opozitën siriane

I dërguari i OKB-së dhe Ligës Arabe, Lakhdar Brahimi, ka deklaruar se konferenca e propozuar e paqes në Gjenevë, që do të synojë t’i japë fund luftës në Siri, nuk mund të mbahet pa praninë e opozitës.

“Nëse opozita nuk merr pjesë, atëherë nuk do të ketë konferencë të Gjenevës”, tha Brahimi në një konferencë për shtyp në Damask, gjatë së premtes, përpara se të kthehet në Bejrut si pjesë e një turi rajonal, në përpjekje për të fituar mbështetje për iniciativën e paqes të mbështetur nga SHBA-Rusi.

“Pjesëmarrja e opozitës është thelbësore, e nevojshme dhe e rëndësishme”, tha diplomati veteran algjerian, duke shtuar se konferenca e propozuar do të ishte një konferencë për sirianët dhe jo për komunitetin ndërkombëtar.

Opozita është e përçarë në lidhje me faktin nëse do të marrin pjesë ose jo në konferencën tepër të vonuar, të cilën Rusia dhe SHBA-të e propozuan fillimisht në muajin maj.

“Opozita, qoftë Koalicioni Kombëtar Sirian apo të tjerët, po përpiqen të gjejnë një mundësi për t’u përfaqësuar”, tha Brahimi, duke iu referuar bllokut kryesor opozitar në Siri.

Rebelët dhe opozita politike thonë se çdo lloj negociate duhet të bazohet në largimin e presidentit Bashar al-Assad.

Koalicioni, i cili gjendet nën presionin e mbështetësve arabë dhe perëndimorë për të marrë pjesë në bisedimet e Gjenevës, pritet të mblidhet më 9 nëntor për të vendosur nëse do shkojnë në Zvicër.

Qeveria sirianë, ndërkohë, ka deklaruar se nuk do të bisedojë për paqe me opozitën e armatosur, duke ulur edhe më shumë mundësitë që konferenca të mbahet.

Të dërguarit e SHBA-ve, Rusisë dhe OKB-së priten të takohen në Gjenevë të martën, si pjesë e përgatitjeve për bisedime.

“Rusia shpreson që konferenca të mbahet përpara fundit të këtij viti”, ka deklaruar kryeministri Dmitry Medvedev gjatë së enjtes. Ai apeloi ndaj të dyja palëve në luftën civile të Sirisë, të arrijnë një kompromis, si dhe kritikoi opozitën për kërkesën e sigurive mbi largimin e Assad, si kusht për bisedime.

“Është një proces i vështirë dhe kushdo duhet të arrijë një kompromis, përfshi liderët e opozitës dhe qeverinë e Sirisë, sigurisht”, tha ai për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

Rusia ka qenë mbështetësi më i fuqishëm i Assad gjatë konfliktit prej më shumë se 2 vjet e gjysmë, duke e furnizuar atë me armë, duke bllokuar 3 rezoluta të Këshillit të Sigurisë në OKB, të cilët ushtronin presion ndaj tij, si dhe ka deklaruar se largimi i tij nga pushteti nuk duhet të jetë parakusht për bisedimet e paqes.

Trazirat e Sirisë, të cilat kanë nisur me protesta dhe gradualisht u kthyen në luftë civile, kanë marrë jetën e më shumë se 100 mijë civilëve, sipas përllogaritjeve të OKB-së dhe opozitës siriane. 

Lajme të ngjashme

Back to top button