Në mbrojtje 3 policë, ish-shefi i parandalimit të krimit u kërcënua nga një numër gjerman

Merren në mbrojtje tre efektivë të policisë. Lajmi është bërë i ditur nga burime të Policisë së Tiranës, të cilat sqarojnë se është marrë në mbrojtje familja e ish-shefit të parandalimit të krimit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, me inicialet B.K. Nga të dhënat e policisë bëhet me dije se ky i fundit është kërcënuar në telefon nga një numër me prefiks gjerman pak ditë më parë. Sipas policisë personi që ka bërë kërcënimin, mësohet se pasi ka gjetur numrin e telefonit të B.K, e ka kontaktuar vetë këtë të fundit dhe e ka kërcënuar me fjalët: Ta shikosh se çfarë do të bëj.

Ti më fute në burg”. Pas kësaj, kanë nisur hetimet për identifikimin e personit që ka marrë nga numri me prefiks gjerman. Ndërkohë, policia ka vendosur një grup të gatshëm nga strukturat e antiterrorit në Policinë e Tiranës për të marrë në mbrojtje familjen e ish-shefit të Parandalimit të Krimit. Një tjetër grup i gatshëm i antiterrorit është vendosur në mbrojtje të ish-nëndrejtorit të Policisë së Tiranës, D.M. 

Burime policore sqarojnë se pasi ky i fundit është larguar pak ditë më parë nga posti si nëndrejtor që mbante së fundmi në Policinë e Elbasanit. Pas largimit të tij nga ky post, D.M ka kërkuar mbrojtjen e strukturave të policisë, për shkak të postit që ai ka mbajtur në vitin 2011 si nëndrejtor i krimit në Policinë e Tiranës. Në 8 dhjetor të vitit 2011, në hyrje të banesës së D.M u vendos një sasi tritoli me qëllim ekzekutimin e ish-nëndrejtorit të Policisë së Tiranës. Ngjarja ndodhi rreth orës 02.40′ të asaj date, në kryqëzimin e rrugëve “Ndre Mjeda” me rrugën “Frosina Plaku’ në Tiranë, në katin e shtatë të pallatit ku banonte familja e D.M. 

Mësohet se gjatë shpërthimit, ky i fundit ndodhej në banesë bashkë me familjarët e tij, por sipas raportimeve të asaj kohe, nuk pati të lënduar në njerëz, por vetëm dëme materiale të shtëpisë. Pista e parë e hetimeve për atë ngjarje, lidhej me detyrën që ushtronte në polici D.M. Pas kësaj, familja e tij ka qenë gjithmonë në survejimin e forcave të policisë. Një tjetër familje që është marrë në mbrojtje është ajo e efektivit të policisë së Kombinatit Sh.T, të cilit pak ditë më parë iu vendos një sasi eksplozivi poshtë mjetit.

NDRYSHIMET

Radhë ndryshimesh në Policinë e Tiranës. Ditën e djeshme janë firmosur edhe dhjetë urdhra për lirimin e efektivëve të policisë në këtë drejtori, mes të cilëve edhe disa nga shefat e seksioneve. Burime nga policia bëjnë me dije se ditën e djeshme iu është komunikuar gojarisht urdhri i largimit shefit të seksionit të antikorrupsionit, Ramiz Billës dhe kreut të Burimeve Njerëzore, Bilbil Dervishi, si dhe shumë efektivëve të tjerë, emrat e të cilëve nuk bëhen me dije. Por, mësohet se ditët në vijim pritet që këta efektivë të marrin urdhrat e largimit edhe në formën zyrtare. 

Ndërkohë, burime policore sqarojnë se urdhrat e largimit në formë jozyrtare iu është komunikuar edhe 14 shefave të krimeve dhe atyre të rendit në 6 komisariatet e Policisë së Tiranës dhe në atë të Kavajës. Ditët në vijim pritet që të firmosen urdhrat për largimin e tyre nga puna. Ndërkohë, ditët në vijim pritet që të ketë shkarkime edhe në radhët e shefave të sektorëve në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. 

Ndërkohë janë ndërruar edhe shefat e qarkullimit rrugor në tre komisariatet e Drejtorisë së Policisë në Lezhë. Burime policore bëjnë me dije se është larguar nga detyra shefi i qarkullimit në komisariatin e Lezhës, Maxhum Hajdari dhe në vend të tij është emëruar Çlirim Thaçi. Në komisariatin e Kurbinit është emëruar shef i qarkullimit rrugor Artan Rexhi, ndërsa si shef i komisariatit në Mirditë është emëruar Shkëlqim Hima. (Balkanweb)

Lajme të ngjashme

Back to top button