Topi apel Ramës: Hap dosjen e 21 Janarit, fut në burg Sali Berishën

Pas Brukselit, edhe ish presidenti Bamir Topi, aktualisht kreu i FRD, i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama arrestimin e Sali Berishës për krimet njerëzore dhe ekonomike që ka kryer. Por, nëse Brukseli e kërkon Berishën në burg për korrupsion, Topi ka kërkuar hetimin ish-kryeministrit për çështjen e 21 Janarit ku, garda e Berishës ekzekutoi 4 qytetarë të pafajshëm dhe plagosi dhjetëra të tjerë.

Për këtë ngjarje, Topi ishte një ndër të akuzuarit nga Berisha si organizatori i grushtit të shtetit. Në këtë kuadër, Topi ka kërkuar që të vihet në vend drejtësia për 21 Janarin, ku në burg të shkojë Berisha ose organizatorët imagjinarë të shtetit. Topi deklaroi gjithashtu se një nga arsyet e bllokimit të statusit është moszbardhja e ngjarjes së 21 Janarit. “Një nga shkaqet që ka ndikuar në bllokimin e statusit është fakti se nuk është marrë parasysh shteti i së drejtës. Rasti më konkret është 21 Janari ku u vranë 4 qytetarë dhe u vranë dhjetëra të tjerë. Për këtë ngjarje duhen hetuar dhe futur në burg përgjegjësit kryesorë, Sali Berisha ose të arrestohen ata që u akuzuan për grusht shteti. Kemi një komision hetimor që është zhdukur”, mësohet të ketë thënë Topi. Ndër të tjera Topi ka përmendur borxhin publik, korrupsionin si shkaqe që çuan në humbjen e marrjes së statusit.  

Bllokimi i statusit

Kreu i FRD, Bamir Topi, ka bërë një parashikim, se pas 100 ditësh qeveria nuk do të shfaqë rezultate pozitive. Sa i përket çështjes së statusit, kryetari i FRD-së theksoi se integrimi i Shqipërisë në familjen europiane është çështje afatgjatë në kohë dhe ka të bëjë me realizimin e standardeve. Topi e vuri theksin mbi ato arsye që klasa politike nuk i ka realizuar siç janë mungesa e shtetit ligjor, pandëshkueshmëria, institucionet e brishta si dhe mungesa e një administrate profesionale. “Por mbi të gjitha, klasa aktuale politike duhet të tregojë se e kupton mirë kushtin e ndëshkueshmërisë dhe reagimin e menjëhershëm ndaj saj. Së dyti, ruajtja e kredibilitetit politik ndaj aleatëve dhe mbështetësve të mëdhenj të Shqipërisë, duhet menaxhuar me shumë kujdes. Kanë harruar që Europa ka disa standarde të tjera, siç është dhe konsolidimi i shtetit të së drejtës dhe ajo që vuan më shumë Shqipëria është shteti i së drejtës”, u shpreh Topi.

Ai ka kritikuar performancës në Parlament. “Ka ndodhur e kundërta nga sa kanë deklaruar dhe siç po shikohet kohët e fundit, e gjithë lufta bëhet për pushtet dhe kjo politikë e paprinciptë ka bërë që sot të evidentohen njerëz me pushtet sikur gjithë bota rrotullohet rreth fatit të këtyre individëve”, tha Topi. Sa i përket çështjes së armëve kimike, Topi kritikoi qëndrimin e kryeministrit Rama. “Jam i hidhëruar nga mënyra se si e interpretoi dhe si e menaxhoi kryeministri aktual çështjen e armeve kimike. Askush nuk të imponon, shtetet e mëdha vlerësojnë kredibilitetin politik tek shtetet e vegjël. Por kur je një shtet anëtar i NATO duhet të jesh koshient në vendimet që merr si një partner institucional. Kur përgjegjësia shpërdorohet, dëmtohen interesat e vendit dhe humbet ky kredibiliteti politik, që është shumë i vështirë për t’u krijuar”, tha Topi.

Premtimi i Ramës

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se do zbardhet ngjarja e 21 janarit. “Nuk do të ketë paqe në shpirtrat tanë, nuk do të ketë asnjë moment spostim vëmendje nga 21 Janari, sa herë që do flitet për drejtësi në këtë vend. Ne nuk do bëjmë prokurorin dhe gjykatësin, por do krijojmë të gjitha kushte që 21 Janari të gjykohet me drejtësi dhe gjithë ata që u përfshinë në vrasjen e të pafajshmëve të shkojnë para drejtësisë. Ky është zotim solemn. Edhe dëshmorët e 21 Janarit dhe viktimat apo të lënduarit e këtyre viteve do t’i nderojmë duke bërë realitet ato gjëra për të cilat ata u vranë, u plagosën dhe u lënduan”, ka premtuar Rama.

Mediu: Qeverisë nuk i intereso çështja e pronave

Në Kuvend rikthehet sërish debati për legalizimet dhe çështja 23 vjeçare e pronave. Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka diskutuar për proejktbuxhetin në seancën e djeshme parlamentare. Mediu ka akuzuar qeverinë se ka hartuar një draft ekonomik në kundërshtim me interesat e popullit. Sipas Mediut, kjo qeveri ka lënë jashtë vëmendjes legalizimet dhe çështjen e pronave.”Biznesit i ngrihet taksat pa u pyetur, ata nuk u dëgjuan. Qeveria përmes ngritjes së taksave u ka futur atyre dorën në xhep, në atë që ata kanë krijuar. Nuk u pyet biznesit, sepse keni një bindje e cila është absurde, se këta njerëz konsiderohen të pasur janë problemi, kjo është e kundërta. Po krijoni një ndarje të re klasore. Kë gjobit qeveria? Kujt ia merr taksat? Taksat i rriten atyre që paguajnë, atyre që respektojnë ligjin dhe detyrimet. Ndërsa pjesa tjetër informale, lihet ashtu siç është. Me këtë sistem rritet akoma më shumë informaliteti në vend”, tha Mediu.

Apeli konfirmon dënimin e komisionerëve në Dajç

Gjykata e Apelit në qytetin e Shkodrës ka lënë në fuqi vendimin për komisionerët e komunës Dajç. Gjykata e Shkallës së Parë dënoi me burg 8 komisionerë. Sipas vendimit të gjykatës, 7 nga komisionerët u dënuan me 8 muaj burg, ndërsa njëri prej tyre me 4 muaj. Komisionerët u paditën nga ish- kreu i komunës, Rrok Rroku. 8 komisionerët akuzohen se kanë falsifikuar nënshkrimet e votuesve dhe numrat e kartave të identitetit apo pasaportave, të cilët ditën e zgjedhjeve ndodheshin jashtë vendit. Ndërkohë pak ditë më parë Gjykata e Apelit Vlorë la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Fierit për të dënuar komisionerët e Ruzhdijes për prishje të zgjedhjeve të 2009-s. Në korrik të vitit 2011, gjyqtari i Fierit do të jepte dënimin ndaj komisionerëve të qendrës së votimit. Pesë komisionerë u dënuan me 7 muaj burg. Ata morën gjobë edhe nga 450 mijë lekë. Tre komisionerët e opozitës u dënuan me 150 mijë lekë gjobë. 1 milion lekë gjobë është vënë ndaj një personi që ka votuar dy herë./ Sotnews

        

Lajme të ngjashme

Back to top button