Emigrimi në SHBA, si funksiononte skema për 25 mijë dollar

Prokuroria për Krime të Rënda përfundon hetimin dhe dërgon për gjykim 7 shtetas, të akuzuar për veprat penale të “grupit të strukturuar kriminal”, “veprime në kuadër të grupit të strukturuar kriminal” dhe “ndihmë për kalimin e paligjshëm të kufirit”. Këta shtetas akuzohen se, nëpërmjet pagesave që arrinin në shumat 20-25 mijë dollarë, kanë trafikuar një numër të konsiderueshëm shtetasish shqiptarë në drejtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, personat e akuzuar kanë dërguar në mënyrë klandestinë në SHBA shtetas shqiptarë, nëpërmjet kalimit tranzit nga Maqedonia në Bullgari, ku pajisen me dokumente bullgare. Sipas prokurorisë, më pas, nga aty, udhëtimi vazhdonte për në Spanjë dhe më tej në vendet e Amerikës Qendrore, kryesisht në Nikaragua, Honduras, Guatemalë e Meksikë, dhe në fund, në destinacionin final, SHBA.

Prokuroria për Krime të Rënda ka nisur hetimin për këtë skemë trafiku personash, në bazë të informacionit të mbërritur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe në bashkëpunim me autoritetet amerikane. Nga informacioni i përfituar gjatë hetimit, rezulton se vetëm gjatë vitit 2013, kanë hyrë në mënyrë klandestine në territorin e SHBA, nëpërmjet kufirit me Meksikën rreth 480 shtetas shqiptarë. Në përfundim të hetimit, Prokuroria për Krime të Rënda dërgon për gjykim kërkesën për shtetasit Enver Karaj, Fatmir Bakalli, Nertil Previzi, Fatos Fasko, Durim Koxha, Nikoll Kolaj dhe Fatmir Flaga. Të gjithë të akuzuarit janë hetuar me masën e sigurisë “arrest në burg”.

Sipas prokurorisë, fakti penal që i atribuohet të pandehurve lidhet me ngjarjen që ka të bëjë me dërgimin në drejtim të SHBA-së të shtetasve të ndryshëm shqiptarë në rrugë ilegale nëpërmjet shteteve të tjera kundrejt pagesës. Sipas akteve të ndodhura në dosje rezulton se të pandehurit Fatmir Bakalli, Enver Karaj, etj, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kryejnë veprime në drejtim të “dhënies ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”, në formë të grupit të strukturuar kriminal. Prokuroria për Krime të Rënda Tiranë ka kryer hetime në funksion të procedimit penal pas referimit për veprën penale nga ana e policisë. Pas marrjes së të dhënave të para është arritur të evidentohet si fakt penal i prezantuar fakti që lidhet me dërgimin e personave të interesuar në drejtim të SHBA-së, dërgim ky që bëhej kundrejt pagesës.

Të pandehurit kanë arritur që nëpërmjet lidhjeve të tyre të sigurojnë të dhëna për persona të cilët dëshironin të mbërrinin në Amerikë me qëllim emigrimin në këtë shtet. Për këtë arsye të pandehurit janë vënë në kontakt me këta persona dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, por dhe në bashkëpunim me persona të tjerë, të cilët ndodheshin në vende të tjera jashtë territorit të Shqipërisë kanë bërë të mundur nisjen nga Shqipëria në vendet fqinje për t’i dërguar më pas në vende të tjera si Meksikë, me destinacion final SHBA-në. Nga analizimi i të dhënave dhe emrave të personave të mbërritur në SHBA rezulton se një pjesë e madhe e tyre kishin ndjekur të njëjtën rrugë udhëtimi. Sipas informacionit të ardhur nga autoritetet amerikane, në lidhje me identifikimin e rastit, rezulton të jenë evidentuar si raste të përsëritura kalimi i kufirit nëpërmjet Meksikës në drejtim të SHBA-së të shtetasve shqiptarë. Në këtë mënyrë janë evidentuar si raste 17 të tilla në muajin Qershor të vitit 2013, dhe për gjithë vitin 2013 është arritur numri prej 478 shtetasve shqiptarë.

Të pandehurit Enver Karaj, Fatmir Bakalli, Nertil Pervizi, Fatos Fasko kanë krijuar si rezultat i lidhjeve të tyre një formë të ngushtë bashkëpunimi dhe me persona të tjerë, në drejtim të nisjes së shtetasve të ndryshëm me destinacion SHBA-në. Në këtë veprimtari ka dhe bashkëpunëtorë të tjerë në rolë të ndara, siç është i pandehuri Fatmir Flaga. Disa nga të pandehurit në bashkëpunimin e tyre kanë patur rolin e gjetjes së personave të interesuar për tu larguar në drejtim të SHBA-së, vënies së kontaktit me ta, përcaktimin e mënyrës së lëvizjes dhe marrjes përsipër të udhëtimit, si dhe rënien dakord për pagesën që do të bënin.

Itinerari i lëvizjes së emigrantëve

Sipas prokurorisë, pas Maqedonisë, shtetasit shqiptarë dërgoheshin për në Bullgari, ku pajiseshin me dokumente bullgare. Më pas, nga aty udhëtonin për në Spanjë dhe
pastaj në vendet e Amerikës Qendrore, si Nikaragua, Honduras, Guatemalë, Meksikë dhe SHBA. Sipas hetimit, rezulton se ky grup funksiononte nëpërmjet skemës që,
sapo mbërrin njëri grup personash në SHBA, nisin grupin tjetër. Anëtarët e këtij grupi u siguronin biletat e udhëtimit personave që synonin të shkonin në SHBA, fillimisht
u blinin bileta me destinacion vende të Europës dhe më pas bileta me destinancion vende të Amerikës Qendrore. Për të mundësuar kalimin drejt Shteteve të Bashkuara të
Amerikës, shtetasit e dyshuar, në bashkëpunim me persona të tjerë, i pajisin personat e interesuar me pasaporta bullgare, kartë identiteti italiane, si dhe dokumente
identifikimi të vendeve të tjera me fotografitë e tyre dhe identitet tjetër. Me mbërritjen e tyre në destinacion, dokumentet e udhëtimit ja dorëzojnë lidhjeve të grupit në
SHBA, të cilat i rikthejnë në Shqipëri me qëllimin për t’i ripërdorur./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button