Kërçovë: Miratohet ndihmë prej 600 000 denarëve për banorët e Kumanovës

 

Në seancën e tridhjetë të Këshillit të Komunës së Kërçovës, përpara këshilltarëve u gjendën pikat që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e punëve të Komunës dhe të organeve të saj si dhe kërkesa të ndryshme që prekin sferat e mirëqenies së qytetarëve, siç janë urbanizmi dhe shërbimet e NP”Komunaleci”.

Fillimisht këshilltarët komunalë miratuan raportet kuartale për realizimin e buxhetit të Komunës për tremujorin e parë të vitit 2015, miratuan listën e çmimeve për shërbimet e NP”Komunaleci” për ndërtimin dhe rikonstruimin e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit për nevojat e Komunës së Kërçovës si dhe sollën vendime për sjelljen e ndryshimit të planit urbanistik për disa lagje siç janë Pashina e epërme, Çifliku, Llozhionicë, Balla Mëhallë, Kalendercë 2, 22 Dhjetori, fshatrat Sërbicë, Tuhin, Mahmutaj, Drogomisht i Madh, Trapçidoll, Llapkidoll dhe Dobrenoec.

Për të potencuar është se që nga fillimi i punimeve të seancës së Këshillit të Komunës, këshilltarët e bllokut maqedonas nga radhët e LSDM-së, me pretekstin se “aktivistët e VMRO-DPMNE dhe strukturave të shtetit të dielën kanë bllokuar autobusët që do të shpienin protestuesit në mitingun e opozitës që u mbajt në Shkup, duke theksuar se ata nuk dëshirojnë të jenë pjesë e skenareve që po organizon qeveria”.

Pas braktisjes së seancës nga ana e këshilltarëve të LSDM, seanca ka vazhduar dhe mëpas përpos këtyre pikave Këshilli i Komunës në kuadër të kërkesave, shqyrtoi edhe kërkesën për ndarje të mjeteve nga buxheti i Komunës, për përmirësimin dhe sanimin e dëmeve të shkaktuara në Lagjen e Trimave në Kumanovë.

Kjo pikë nxehu gjakrat në mes të bllokut të këshilltarëve shqiptarë dhe të atyre të bllokut maqedonas nga radhët e VMRO-DPMNE dhe koalicionit të saj, ku ata me ngulm kërkonin që krahas banorëve të dëmtuar të Lagjes së Trimave në Kumanovë, në kuadër të kësaj ndihme të përfshihen edhe të ashtuquajturit “branitella” nga radhët e policisë maqedonase, të cilët humbën jetën në konfliktin e armatosur gjatë datës 9 maj.

Një kërkesë e këtillë u refuzua nga ana e këshilltarëve shqiptarë pasi sipas këshilltarit Ibraim Koça, “ende nuk ka ndonjë prononcim të paanshëm lidhur me atë se çka ndodhi në të vërtetë atë ditë atje dhe se pa një vlerësim të paanshëm ku do të përfshihej edhe monitorim ndërkombëtar, këshilltarët nuk do të kenë mundësi të kyçen në miratimin e këtij propozimi, sepse sëpari konsiderojmë se për policët e vrarë dhe lënduar në konfliktin te Lagja e Trimave të Kumanovës, qeveria ka miratuar fonde të veçanta. Ndihma që Këshilli i Komunës po ndan tani ka të bëjë me ndihmën dedikuar popullsisë civile, e cila u dëmtua rëndë duke ua rrënuar shtëpitë dhe pronat e tyre gjatë aksionit policor”ka theksuar gjatë debatit këshilltari Ibraim Koça, qëndrim të cilin e ka arsyetuar mëpas edhe gjatë prononcimit për media. Ky prononcim i këshilltarëve shqiptarë rezultoi të provokojë këshilltarët e bllokut maqedonas nga radhët e VMRO-DPMNE dhe partive në koalicionin e saj, të cilët braktisën punimet e seancës së Këshillit.

Mëpas këshilltarët komunalë të Kërçovës miratuan vendimin që për banorët e prekur të Lagjes së Trimave, nga buxheti i Komunës të ndahet shuma prej 600 000 denarëve, për banorët e prekur të kësaj lagjeje, projekt ky i miratuar nga kryetarët e komunave shqiptare në Maqedoni.

Lajme të ngjashme

Back to top button