Greqia pranë marrëveshjes për borxhin

Greqia është pranë arritjes së marrëveshjes së shumëpritur me Brukselin, për marrjen e këstit të fundit të kredisë 7.5 mld euro. Optimizmin e shprehu Ministri grek i Financave Janis Varufakis, gjatë një interviste në televizionet greke.

Varufakis tha se shpresonte që nënshkrimi i marrëveshjes është çështje ditësh dhe diskutimet janë në fazën përfundimtare. Optimist u shpreh edhe kreu i Komisionit Europian, Zhan Klod Junker.

Por ndryshe nga Athina, Junker tha se nënshkrimi i marrëveshjes ka pak gjasa të ndodhë në samitin e krerëve të Unionit në Riga, gjatë kësaj jave. Sipas Junker, shanset më të mëdha janë që kjo marrëveshje të nënshkruhet në fund të Majit ose në fillim të Qershorit.

Kreu i Komisionit Europian rikujtoi se Greqia duhet të përmbyllë reformat e kërkuara nga kredidhënësit ndërkombëtarë. Greqia rrezikon të përballet me mungesë likuiditeti.

Për pasojë nuk do të jetë më në gjendje të shlyejë këstet e rradhës të kredisë. Ndaj dhe vendi ka nevojë urgjente për këstin e fundit 7.5 miliardë euro nga pakesta e ndihmës ekonomike 240 miliardëshe e vitit 2010.

Kësti duhej të merrej në fillim të këtij viti, por me ardhjen në pushtet të të majtëve të Aleksis Cipras, shtyrja e reformave ekonomike uli besimin e kredidhënësve ndërkombëtarë, në aftësinë e Greqisë për të shlyer borxhet./ Tv Klan

Lajme të ngjashme

Back to top button