Frenezia e një Qeverie u demaskua në Kumanovë

Ne jetojmë në një botë të konflikteve globale. Konfliktet apo luftërat që u zhvilluan në vende të ndryshme të botës duke filluar nga Ruanda, Bosnja, Serbia, Kosova dhe në ish shtetet e Bashkimit Sovjetik në media janë të vulosura me një emër si: Konflikte ndëretnike.

Disa intelektual e shkencëtarë të njëjtat konflikte i quajnë edhe si: Konflikte gjenetike. Gjenetika ruhet me egoizëm edhe te kafshët, ku pela kujdeset për mëzin e saj vetëm e vetëm që të ruaj llojin trashëgues. Njeriu si qenie që i takon grupit të gjitarëve, si edhe kali, përpos anës së egoizmit gjenetik që i bashkon me  kafshët, njeriu për dallim nga kafshët e ka të zhvilluar sensin shoqëroro etnik. Si për shembull një kali apo pele të Prishtinës apo Tiranës nuk i intereson se çka ndodhë me kuajt apo pelat e Kumanovës, qofshin edhe për ato pela e kuaj që gjenden në shtallat e shqiptarëve Kumanovarë. Për dallim nga kafshët njeriu është produkt më i gjerë se sa familjarë, ai është produkt shoqërorë.

Pasi që njeriu është produkt i shoqërisë dhe kulturës, parimisht jemi të udhëhequr nga normat, altruizmi dhe sjelljet sociale. Sa do kozmopolit që bëhemi ndjenja për ti ndihmuar familjes, të afërmve dhe bashkëkombësve në raste të vështira dhe nevojë, është e ngulitur historikisht në gjenin tonë. Shembull konkret, më shumë interes dhe empati tregonin Evropianët dhe Amerikanët në luftërat në Bosnje dhe në Kosovë se sa për atë në Ruand (1994). Edhe pse në Ruand vrasjet brenda njëqind ditë kishin kaluar shifrën e një milioni të vrarë mes klanit Tutsi dhe Hutuer, kjo kasaphane ishte e pa krahasuar në historinë e luftërave botërore.

Rastin e Kumanovës shumë shtete perëndimore nuk e cilësuan si konflikt ndëretnik. Shikuar nga aspekti horizontal këtë e tregon më së miri anti disponimi dhe mos besimi i qytetarëve si maqedonas dhe shqiptarë ndaj Qeveris së Gruevskit&Co, të cilët u ngritën në protesta kundër Qeveris aktuale shumë ditë më parë. Edhe pse Koalicioni qeveritarë i përbërë nga dy kombe të ndryshme, maqedon dhe ai shqiptarë, të dy palët kanë luajtur dhe manipuluar me letrën nacionaliste. E gjithë kjo lojë e ndyrë bëhet jo për të demokratizuar vendin e as për të krijuar shtet, por për të mbajtur pushtet. Qeveria e Gruevskit&Co ka sajuar nacionalizëm imagjinar me konstrukte betoni duke i vulosur edhe WC-të publike me “vulën” e Aleksandrit të Madh në Shkup dhe qytete tjera. Përveç nacionalizmit vizual, nacionalizmi maqedon kalon në atë agresiv ndaj shqiptarëve autokton, si rasti i montuar “Monstra”.

Marrëveshja e Ohrit neglizhohet dita ditës nga nacionalizmi maqedonas në veprim. E gjithë kjo situatë e krijuar si te maqedonasit e sidomos te shqiptarët krijoi një atmosferë të bombës së kurdisur, andaj edhe parashtrohej pyetja: Kur do të shpërthej kjo bombë. Duke e pas këtë bombë në dorë, Gruevski e gjuajti prapë në oborrin e shqiptarëve në Kumanovë. Shërbimet inteligjente si në Kosovë dhe Shqipëri, edhe pse thonë se kishin të dhëna për një konflikt të armatosur, nuk ishin të aftë të parandalonin konfliktin në Kumanovë. Njeriu që meriton lëvdata në tërë këtë tragjedi është Avdi Avdiu, qytetari Kumanovarë i cili me fjalimin e tij në “Lagjen e Trimave” më shumë se çdo politikan arriti ta kanalizoj tërë këtë inskenim si zhvendosje të një politike të korruptuar.

BDI mos daljen nga Qeveria e Gruevskit&Co pas rastit “Monstra” e arsyetonte se dalja nga koalicioni do të destabilizoj shtetin. Fakti se Maqedonia po destabilizohet vetë nga Qeveria e Gruevskit&Co nuk e arsyeton pohimin e BDI-së. Ky pohim ishte një lojë për të mbajtur pushtet. Aftësia e poshtër e Nikolla Gruevskit&Co me shantazhim e bëri BDI-në impotent sa që edhe i pari i partisë ka humbur besimin në Qeveri. Këtë e tregon më së miri intervista e fundit e Ali Ahmetit në emisionin “Rruga drejt” i cili për të shpëtuar jetët e shqiptarëve të rrethuar në Kumanovë iu kishte telefonuar OSBE-së e jo Gruevskit&Co.

Nëse rishikojmë qeverisjen e VMRO-DPMNE-së dhe partneritetin me dy partitë më të mëdha shqiptare, BDI dhe PDSH, këto të dytët u treguan të paaftë si në fillim ashtu edhe në mbarim.  Halli i dy partive shqiptare në fjalë, nuk ishte se si të implementohet marrëveshja e Ohrit, por ata brengoseshin se si nuk janë në Qeverin e Gruevskit&Co për të ndarë haraçin. Gatishmëria që të përfshiheshin në Qeverin e Gruevskit&Co si dhe mos gatishmëria për të dalur nga e njëjta, shkaktoi që partitë më të mëdha shqiptare të armiqësoheshin. Ky armiqësim mes PDSH-së dhe BDI-së i jepte jetë zgjatje qeverisjes së Gruevskit&Co. Këtë e tregon më së miri edhe përgjimi i bisedës telefonike mes Menduh Thacit dhe Sasho Mijallkovit, ku i pari i betohet të dytit se do të jem besnik deri në vdekje. Sasho Mijallkov, si nga maqedonët njashtu edhe nga shqiptarët, njihet si njeri mizorë bash sikur Beria (Levrenti Pavlovich Beria, 1899-1953 shef i sigurimit të policisë në BRSS-së, në kohën e Stalinit) që e mbronte Stalinin, në të njëjtën mënyrë Sashoja shantazhoi shumë fytyra politike dhe mediatike që e kundërshtonin politikën e Gruevskit.

Askush nuk e vë në dyshim të kaluarën e Ali Ahmetit si një idealist kombëtarë i cili tërë jetën e tij bëri përpjekje të mëdha për ti dhuruar kombit të vet vlera kombëtare dhe morale. Mirëpo, mosparaqitja e tij në kohën më të vështirë pas 2001-shit në “Lagjen e trimave” në Kumanovë, është dobësi dhe mos guxim që nuk arsyetohet. Atë që se bën dot Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi, e bëri lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev. Ai u duartrokit nga qytetarët shqiptarë dhe maqedonas të Kumanovës. Në vend që ky gjest i shqiptareve të merrej si gjest i kulturuar qytetarë, disa politikan frikacakë mikëpritjen e Zavit nga shqiptarët e gjykuan si përulje. Nëse analizojmë anën tjetër, kjo tregon se partitë shqiptare nuk kanë lider as të pozitës e as të opozitës që mund të kenë ndikim tek bashkëkombësit e vetë.

Sidoqoftë “Lagjja e trimave“ ishte rrethuar me tanke dhe artileri të rëndë dhe një vizitë qoftë edhe nga Zaevi, që ti jepet paqes shancë, ishte e mirëpritur. Mirëpo, ta vendosh fatin tënd te tjetri është njësoj sikur fabula e njohur kur akrepi vendosi ta kaloj lumin por nuk dinte të notonte dhe e luti bretkosën që ta bartë në shpinën e saj për ta kaluar lumin. Bretkosa e frikësuar vendos ti ndihmon akrepit por me një kusht që mos ta helmon me kthetrat e tij, ndërsa akrepi i premton se nuk do e bën këtë. Bretkosa e vendos në shpinë akrepin dhe fillon ta bartë nëpër lumë dhe gjatë dallgëve të para të ujit akrepi nga frika e helmon bretkosën. Bretkosa e habitur nga veprimi i akrepit i thotë që tani të dy do fundosen në ujë, ndërsa akrepi i përgjigjet se ky veprim është në natyrën e tij.

Partitë shqiptarë në Maqedoni janë të votuara të mbrojnë interesin e shqiptarëve si shtetas me të drejta të njëjta si maqedonasit. Çdo devijim dhe mospërfillje e kërkesave dhe të drejtave si komb autokton në shtet bërjen e Maqedonisë është i destinuar të fundoset, aq më shumë nëse ato korruptohen deri në shantazhim nga vasalët e tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button