Këtu, ku krisnin armët

“Çka janë këto të krisura???”– ishte pyetja e motrës, që më zgjoi mëngjesin e së shtunës. Ora nuk qe më shumë se 05:08 dhe vërtetë dëgjoheshin të krisura armësh. U afrova tek dritarja e dhomës, por nuk shihej asgjë. “Me siguri ka ndonjë dasmë këtu afër!” -i thash 9 vjeçares, e cila po priste shpjegim. Mirëpo, ajo që dëgjonin veshët nuk po i ngjante të krisurave të pakuptimta (por tradicionale) me rastin e lindjes së fëmijës, marrjes së nuses apo fundvitit! Sakaq, dola në korridor, ku takova babanë. Hapa derën për të dalë në ballkon, por ai më ndali. “Çfarë po ndodh kështu?”- e pyeta. Jo që më tha ndonjë fjalë, por nga fytyra e tij e kuptova se diçka e keqe po ndodhte, mbase deri diku e paqartë edhe për vetë babanë tim. Diçka shumë e keqe, në fakt!

Të krisurat nuk ndaleshin, ndërsa tingujt e ndryshëm jepnin sinjale për të kuptuar se përdoreshin të gjitha llojet e armëve. Kështu, kureshtja se ku përfundonin këto gjuajtje ishte më e madhe se paqartësia se pse e gjitha kjo që po ndodhë po ndodhte në lagjen time! Isha e trishtuar, mjegulluar dhe e emocionuar për hapin në vijim, ndërsa këtë trishtim e shtonte qarkullimi i helikopterëve, që dëgjohej pa pushim dhe herë pas here edhe sirena e ambulantes së ndihmës së shpejtë. Kjo e fundit dëshmonte se shëndeti e mbase edhe jeta e dikujt sapo ishte marrë. Në pamundësi për të bërë diçka tjetër, shkrova një status në “facebook”. Prisja ndonjë koment nga miqtë, ndonjë sqarim nga ana e tyre, madje edhe ndonjë mishërim me tragjedinë që sapo na kishte trokitur furishëm. Mirëpo, më kot! Filluan të na telefonojnë familjarë e miq të shqetësuar, duke na pyetur se si ishim, ngaqë të krisurat po jehonin deri edhe në fshatrat më të largëta. Mendja ime nuk mund të gjente arsyetim për sinjalet që shqisat i përcillnin! Përmendej lufta, por nuk mund të besoja se një gjë e tillë vërtetë po ndodhte, si dhe vetë arsyen për gjëmën askush nuk e dinte. Ndoshta luftë po, por për çka, kush me kë, pse, – ishin pyetje që qarkullonin në mendjen tonë më shpejt se gjaku nëpër damarë!

Nuk guxonim as të qëndronim afër dritareve, nga frika se ndonjë nga plumbat mund të depërtonte në shtëpitë tona për të mbërritur në trupat tanë të pafajshëm. Vetëm pas orës 7 u ul intensiteti i të krisurave. Atëherë dolëm në ballkon. Pamë tym në qiell, që linte të kuptohej se shtëpitë po digjeshin. Pamë gjithashtu se rruga ishte e mbushur me policë të njësisë speciale. Flisnin me zë të lartë e ndër tjerash dallova “…shtëpia e verdhë është e pastër…”që linte të dyshohej se nëpër shtëpi po bastisej. Por ende nuk dinim pse-në e gjithë kësaj rrëmuje. Kontaktoja me kryeredaktoren e “Portalb-it”, duke u munduar të ndihmoja në informimin e të tjerëve, me shpresë se njëkohësisht do të bartja thirrjen për ndihmë dhe se dikush do të merrte përgjegjësinë për të na nxjerrë që aty. Por u gabova: As të krisurat nuk po ndaleshin e as ne nuk dilnim dot prej shtëpisë.

Pas orës 10, të krisurat ishin sporadike për disa çaste dhe i shfrytëzuam si mundësi për të zbritur në katin përdhes. Sapo zbritëm, një autoblindë u pozicionua para derës së oborrit dhe të gjuajturat vazhduan të tmerronin gjithçka përreth. Në mesin e zhurmës dëgjoja edhe cicërimat e zogjve të tërbuar. E tërë shtëpia dridhej nga të gjuajturat, ndalesat e rralla të të cilave nuk zgjatnin për më shumë se 5 sekonda. Ishin ato 5 sekondat, kur unë i premtoja vetvetes se më nuk do të frikësohesha. Mirëpo, çdo e gjuajtur vijuese godiste drejtpërdrejt në zemër, andaj këtë premtim nuk arrija ta mbaja dot.

Habitshëm, nga ekrani prisja të kuptoja çfarë ndodhte rreth nesh! Thjesht, nuk mund të besoja se MPB luftonte me një grup të rrezikshëm dhe të armatosur. Nuk mund të besoja se si kjo lagje normale përnjëherë u shndërrua në fushëbetejë. S’mund të besoja se luftohej në mes të civilëve të pafajshëm, pa kursyer as pleq e as fëmijë! Ndërkohë televizionet dhe portalet vazhdimisht publikonin fotografi e lajme për lëndimin e mundshëm të personave, gjegjësisht vrasjen e tyre. E secili publikim i këtillë ngjallte një ndjenjë të përzier me keqardhje, empati dhe bëhej arsyetim për shtimin e frikës. Kisha mësuar se politikë bëhet deri në momentin që fillon të përdoret forca, por sërish kisha shpresë se politikëbërësit mund ta ndalnin atë tmerr e ta ndiznin ndonjë kandil në atë terr. Çuditërisht, jo që nuk ndodhi një gjë e tillë, por  kërkesa e partive politike që të ruanim gjakftohtësinë derisa nuk mbeti mur, për të cilën mund të mbështeteshim, ishte absurde. Atëherë që ishte shkëputur çdo lidhje me sigurinë, kulmin e absurditetit e arriti përmendja e integrimit të vendit në BE dhe NATO. Përnjëmend, integrimi i vendit në BE do të ishte gjëja e fundit që do të mund të mendonte njeriu që fle në paqe e zgjohet në luftë! Asnjëherë nuk isha ndjerë më e dëshpëruar. Po i lutesha Zotit të na falte durim e qetësi, sepse tashmë isha e bindur se njeriu vetëm me të krisurat e armëve vrasëse nuk mësoheshka dot.

Edhe lukthi i zbrazur u dorëzua i turpëruar, pasi u bind që kërkesat e tij nuk kishin më kuptim. Kujtoj se kisha pirë vetëm ca gllënjka ujë, në përpjekje për të shuar zjarrin brenda vetes, që ndizej derisa i shihja familjarët: Gjyshja sapo kishte dalë nga spitali, ajo ishte ende e sëmurë. Ndërsa dy të miturit, më përvëlonin shpirtin kur strukeshin pas nesh. Pyesnin “Çfarë do të na bëjnë neve policët?”, “Kush janë të keq e kush të mirë?”, – ata donin t’u qartësohej gjendja ashtu si filmat vizatimorë që kishin parë deri atëherë. Ata pa dyshim nuk kishin asnjë faj për ta përjetuar këtë tmerr! Në vend të detyrave të shtëpisë, ja çfarë kishte shkruar motra në fletore: “Sot është gjendja shumë keq dhe rrezik. Jemi mbyllur nëpër dhoma e nuk mund të lëvizim, si zogu në kafaz. Sot është si një luftë, krisma, bomba etj. Unë dhe gjithë fëmijët shumë trembemi. Zemra na rreh si tupan. E përzier është Kumanova me policë, ushtarë etj”.

Gjithsesi i gjithë ai municion, që dëgjohej të shpërthejë, pa dyshim përfundonte diku! E ky fakt më shfaqte para syve skenat më mizore të filmave luftarak. Ashtu që pavarësisht sa të tmerrshme që ishin paragjykimet, nëse do të duhej diçka të na ndodhte neve doja të na ndodhte sa më parë. Nuk mendoja se nëse do të vritesha do të ndjeja më shumë dhimbje se sa ajo që më shkaktonte pritja për të më vrarë. Dhe nëse do të duhej të vdiste dikush, le të vdisja unë e të shpëtonin të tjerët, – bluante koka ime. Fqinjët na njoftuan se ata i kishte bastisur policia dhe  ndërkohë që prisnim të na bastisin edhe neve, më së shumti frikësohesha mos ma merrnin vëllanë. Babai nuk ishte shkëputur së vëzhguari nga dera, derisa unë isha lodhur vetëm duke e shikuar si qëndronte në këmbë. Papritmas u dëgjuan të qara dhe britma. Atëherë xhaxhai hapi derën e oborrit, ndërsa disa prej policëve ia kishin drejtuan armën, thuajse bëheshin gati ta vrisnin. Menjëherë u kthye,“Çohuni! Po dalim prej shtëpisë!”- na tha. Në oborr qëndronin tre policë me uniformë lufte, pyeta nëse na duhet të merrnin letërnjoftimet. Njëri prej tyre pohoi. Kur po ngjitesha shkallëve me vrap, ky i fundit më tha të mos shpejtoja se mund të më gjuante. Nga dritarja e dhomës vërejta aq shumë policë dhe u stresova aq shumë sa mezi gjeta atë që po kërkoja. Më pas mezi njoha cilët këpucë mund t’i mbathja më lehtë, sepse më dukej se nuk do të kisha kohë për t’u përkulur. Policët thanë të mos i mbyllnim dyert, se do të hynin brenda. Derisa ecja në rrugë, me sytë në tokë shihja vetëm copa xhami, ndërsa kur drejtoja shikimin vetëm ushtarë e policë të armatosur. Hipëm në veturë, duke mos e ditur se ku shkonim, kurse shumë rrugë ishin të bllokuara. Në fund u vendosëm te kushërinjtë që banonin afër qendrës së qytetit. Në shtëpinë e tyre, atje rreth orës 5, ku të paktën nuk dridheshin muret nga të krisurat më pushuan veshët, atje për një çast mu qetësua zemra dhe ndjeva se si mushkëritë mu mbushën me oksigjen. “Nënë më duket se linda për së dyti”- i thash engjëllit tim në tokë dhe ndjeva lotët që më rrodhën nga sytë. Gëzimi që shpëtuam të gjithë ishte i gërshetuar me brengën se nuk mund të jem aq zemërgjerë për t’ia falur atyre që pa të drejtë më morën ambiciet, vullnetin dhe energjinë për jetë. Më vinte keq që deri atë ditë nuk e kisha ditur vlerën e vërtetë të lirisë dhe virtytin e sigurisë. E bindur se do të më duhej kohë të përmblidhem, luta Zotin që e tëra të mbaronte me kaq.

 

(Autorja është studente në Shkenca Politike dhe Diplomaci, FON)

Lajme të ngjashme

Back to top button