Në USHT u promovua libri “Gjuha e edukimit” i autores Ixhrije Aziri

Në Universitetin Shtetëror të Tetovës u promovua libri “Gjuha e edukimit” i autores Ixhrije Aziri. Recensenti i librit, Mr. Enver Beqiri vlerësoi se ky libër është një studim me vlera edukative–pedagogjike. “Ky libër me një hulumtim dhe studim serioz, është njëherë edhe burim me rendësi të veçantë në traditën kulturore shqiptare, duke mbetur me një vlerë të veçantë edhe për studiuesit e çështjeve të veçanta, apo të personaliteteve, për të tashmen dhe të ardhmen”, vlerësoi Mr. Enver Beqiri. Sipas tij, libri i plotëson të gjitha kriteret shkencore dhe meriton të jetë jo vetëm si libër, por si një thesar pedagogjik, që do t’u shërbejë pedagogëve dhe studiuesve të tjerë në këtë lëmi.

Ndërsa recensenti Rami Kamberi theksoi se libri “Gjuha e edukimit” dëshmon se gjuha e studimit mes nesh jep dhe ka cilësi. “Janë raste të rralla në lëmin e pedagogjisë që të shfaqen studime me karakter pedagogjik, siç është rasti me pedagogen Ixhrie Aziri, tani edhe autore e një libri me studimet pedagogjike, që dëshmon se vërtetë mes nesh gjuha e studimit ka cilësi dhe jep mundësi që të mësohet se si duhet edukuar brezat e ardhshëm. Pra, poqe se e shikojmë librin “Gjuha e edukimit” në vështrim të përgjithshëm, mes veprave të traditës pedagogjike e  kombëtare, do të shohim se qartë dëshmohet se autorja edukimin e shikon përmes tri pikave kryesore: të së kaluarës, të tashmes dhe të ardhshmes”, tha recensenti Rami Kamberi.

Në USHT u promovua libri “Gjuha e edukimit” i autores Ixhrije Aziri

Autorja e librit “Gjuha e edukimit”, Ixhrije Aziri deklaroi se edukata si dukuri shoqërore objektive ka ekzistuar në çdo shoqëri njerëzore, madje edhe në shoqëritë primitive, prandaj ajo është e vjetër sa edhe vetë lloji i njeriut. “Sot, për edukatën mund të flasim në pikëpamje historike, sipas formacioneve shoqërore historike, si në bashkësitë e para primitive, në shoqëritë skllavopronare, feudale, kapitaliste, brenda së cilëve mund të flitet për përcaktimin e varianteve të edukatës nga më të ndryshmet”, tha Ixhrije Aziri.

Autorja e librit Ixhrije Aziri është e lindur më 27 nëntor 1978 në fshatin Gojran të Gostivarit. Ajo që nga viti 2009 e deri më tani punon në Bibliotekën Universitare në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Po ashtu ka marrë pjesë në konferenca shkencore – pedagogjike, seminare, tribuna dhe simpoziume për ngritjen dhe zhvillimin profesional të saj.

Lajme të ngjashme

Back to top button