Analistët: Shqiptarët duhet të protestojnë  

Njohësit e çështjeve politike përkrahin protestat e 17 majit, duke thënë që të gjithë shqiptarët pa asnjë dilemë do të duhet të marrin pjesë, me qëllim që të largohen pushteti i deritanishëm i cili shkatërroi demokracinë dhe shumë gjëra tjera në vend.

Ata thonë se vetëm në këtë mënyrë protesta do të bëhet masovike dhe do të shtyn që kryeministri të mos ketë rrugëdalje tjetër dhe të dorëhiqet.

“Pa dilemë se shqiptarët duhet të protestojnë. Alternativa do të ishte mbetja me regjimin e Gruevskit. Mendoj se edhe shumë analist të shquar në Kosovë e Shqipëri ndajnë të njëjtin mendim. Këtij regjimi që paraqet katastrofë elementare për të gjithë qytetarët, sidomos për shqiptarët, assesi nuk duhet t’i shtohet jeta. Regjimi i Gruevskit është fatkeqësi e jona historike. Humbëm dekada të tëra, na u shpërngul rinia, na ka rënë standardi, na është përkëmbë dinjiteti dhe së fundit jemi grabitur”, tha për Portalb, profesori Mersel Bilalli.

Ai shtoi se më shumë se kurdoherë duhet të tregojmë se jemi aleat natyror të SHBA-së, e jo Rusisë.

“E çka duhet më shumë të ndodhë sa të kuptojmë se kemi lëshuar aq kohë që të mbrojmë veten. Më habisin shkrimet me tendencë të kundërt që nuk ofrojnë njëfarë alternative!!! Mendoj se shumica dërmuese intelektuale dhe e popullit do të jetë prezent ditën e diell. Jashtë do të mbeten vetëm ata që s,kanë sens të nuhasin që 99% e popullatës Shqiptare do rrëzimin e këtij regjimi. Apo që kanë ndonjë interes të vetin.  Ne më shumë se kurdoherë duhet të tregojmë se jemi aleat natyror të SHBA-së, e jo Rusisë”, shtoi Bilalli.

Gjithashtu edhe njohësi i çështjeve politike, Ismet Ramadani thekson se shqiptarët nuk duhet të kenë dilema por të protestojnë me doemos.

“Unë mendoj se s’duhet të ketë dilemë në atë që shqiptarët a duhet të protestojnë apo jo. Qëllimi është i përbashkët, të bie kjo qeveri e cila largoi shumë Maqedoninë nga eurointegrime duke bërë krim dhe keqpërdorim të detyrës, andaj mendoj se edhe shqiptarët duhet të jenë pjesë e kësaj proteste ashti siç janë pjesë e këtij shteti”, tha për Portalb, Ramadani.

Ai shtoi se Shqiptarët i japin kuptim protestës, sepse kështu ata investojnë në të ardhmen e shtetit dhe në të ardhmen shqiptarët mund të formojnë koalicion dhe të kërkojnë të drejtat e tyre t’i kenë me doemos.

“Sidomos arsyeja që të bie kjo qeveri është më e madhe tek shqiptarët, të cilët gjithnjë ishin pro eurointegrimeve dhe duhet të ndihmojnë duke dhënë përkrahje për masivitet në protesta me qëllim që kryeministri të dorëhiqet. Shqiptarët i japin kuptim protestës, sepse kështu ata investojnë në të ardhmen e shtetit dhe në të ardhmen shqiptarët mund të formojnë koalicion dhe të kërkojnë të drejtat e tyre t’i kenë me doemos. Shqiptarët nuk duhet të kenë dileme se të protestohet apo jo, kjo është për zgjedhje demokratike që do të kthejnë Maqedoninë në rrugë të drejtë”, shtoi Ramadani.

Lajme të ngjashme

Back to top button