“Maqedonia” në udhëkryqin e stabilitetit politik dhe të sigurisë

Situata e fundit e përshkallëzuar në Kumanovë, me fillimin e shkëndijave të konfliktit të armatosur, vrasjeve makabre me përdorimin e pakontrolluar të forcës ushtarake e policore në një hapësirë të dendur urbane dhe maltretimin e injorimin e sigurisë së popullatës civile, janë indikacione të qenësishme se situata dhe status kvoja politike në “Maqedoni” është e paqëndrueshme si rezultat i shtypjes sistematike shtetërore, shkeljes së të drejtave të njeriut dhe i  pa perspektivës të së ardhmes së statusit të pavarësisë politike të popullit shqiptar në këtë shtet, që është më se e qartë se e ka humbur rrugën në oborrin e vet.

Populli shqiptar në Maqedoni, sipas disa statistikave numëron prej 800,000-1,000,000 banorë, duke përfshirë të zhvendosurit e përkohshëm -mërgimtarët në Evropë dhe SHBA-të, që është një përqindje shumë e lartë, ndoshta e barabartë me popullin që është duke sunduar ndaj të tjerëve në këtë vend, fakt që shtron nevojën e një regjistrimi kredibil ndërkombëtar dhe kërkesën që shqiptarët të trajtohen shumë me më respekt në procesin vendimmarrës politik.

Stabiliteti politik dhe i sigurisë duhet të jetë thelbësor në këtë etapë, me sigurimin e një zgjidhjeje kreative të re e të qëndrueshme politike ndërmjet dy popujve kryesor, në të kundërtën kjo pikë nevralgjike e konfliktit do të shpërthej në mënyrë të paevitueshme, duke iniciuar kthimin e konfliktit të armatosur dhe gjenerimin e jo stabilitetit në Maqedoni dhe më gjerë në Ballkan.

Thelbi i problemit qëndron në tendencën dhe imponimin mbizotërues shtetëror të një etniteti ndaj tjetrit, hendeqeve të thella ndërkulturore etnike, duke mos zgjedhur mjete në krijimin e iluzionit në faktorin e brendshëm maqedonas për gjoja trashëgiminë antike hyjnore, infioritetin kulturor e arsimor të tjetrit dhe disiplinimit politik e segregacionit modern të kamufluar ndaj një popullate të tërë shqiptare.

Identiteti “maqedonas” i sajuar artificialisht si etnitet i Republikës nga Jugosllavia e pas luftës së Dytë Botërore, është produkt e satelit i hegjemonizmit serb në kontekstin historik të krijimit të rendit të ri botëror, duke shërbyer si tampon për neutralizimin e shqiptarëve dhe bullgarëve. Kompleksi i ndërlidhjes së një identiteti të ri shtetëror me një kontinuinitet të paqenë antik me Maqedoninë e lashtë helene, që tentohet të ndezët tani nga Qeveria e Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë (emërtim  me të cilin është pranuar në OKB-në),  me përmendore të inauguruara në Kryeqendër, kurrikulume të porositura arsimore dhe të ushqimit të këtij nacionalizmi fiktiv, janë ilustrimet më të mira të katandisjes së brendshme të kësaj shoqërie e shteti dhe injorimit të problemeve të brendshme rreth zhvillimit të qëndrueshëm, konsolidimit të paqes dhe stabilitetit politik e të sigurisë, si dhe çështjeve emergjente që duhet adresuar menjëherë sikurse bazimi i shtetit në multi-etnicitet dhe qytetari, respektimi i plotë i të drejtave të njeriut, ofrimi i garancive kushtetuese për dhënien e mbrojtjen e pozitës shtet formuese të popullit shqiptar dhe respektimin e popujve të tjerë e  preservimin e të drejtave kulturore të tyre.

Duhet cekur se nëse shikohen gjërat nën këndin e aspektit historik, që aq shumë përdoret nga kjo nomenklaturë shtetërore “maqedonase”, hapësira e banuar nga shqiptarët, përkon në tërësi me hartën e Mbretërisë së Dardanisë, territor ky që ishte epiqendra e Mbretërisë së saj dhe vija kufitare e luftërave konstante me Maqedoninë antike. Kjo hartë historike dardane ishte pak më e madhe se sa ajo e vijës që tani ndan dy etnitetet e shqiptarëve dhe të bullgaro-sllavëve, të vet quajtur “maqedonas” sipas territorit antik i cili shtrihej vetëm në gjysmën e territorit të Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë së sotme. Argumenti historik është plotësisht në anën e shqiptarëve, në çdo periudhë që ajo do trajtohej, mirëpo objekt i problemit do të duhej të ishte trajtimi i kohës së sotme me mjete bashkëkohore demokratike të të  drejtave njerëzore, shtetërore e relacioneve të të dy etnive më të mëdha në këtë vend.

Faktori i brendshëm shqiptar duhet t’i lë me një anë smirat ditore ndërmjet veti, përfitimet materiale qeveritare dhe të përkushtohet thellësisht në zgjidhjen jetësore të çështjes së mbetur kombëtare.

Kjo situatë e nëpërkëmbjes së popullit shqiptar, duhet të ketë një zgjidhje të mirëfilltë, të drejtë e afatgjate duke ndalur përgjithmonë nevojën e mbizotërimit etnik ndaj një populli tjetër, e që nuk është ofruar as për së afërmi nga “Marrëveshja e Ohrit”, që përkundrazi ka instaluar një sistem të qytetarëve të rendit të dytë për shqiptarët, si dhe duhet ofruar të drejtën për vetëvendosje politike të popullit shqiptar në Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë.

Zgjidhja e kësaj nyje mund të realizohet në dy fusha, nëpërmjet ri rregullimit shtetëror dypolar apo ndarjen territoriale të pajtueshme nga të dyja palët.

Parimet themelore minimale të zgjidhjes së çështjes së pozitës së shqiptarëve në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, duke u bazuar në ri rregullimin shtetëror duhet të janë:

  1. Pozitë shtet formuese e popullit shqiptar në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë.

 

  1. Sistem politik i Konfederatës, me dy territore administrative të etniteteve politike të definuara qartë dhe me dy dhoma kuvendore, atë të përfaqësuesve dhe të popujve.

 

  1. Përfaqësim proporcional i përfaqësuesve të popullit shqiptar në institucionet qeveritare e shtetërore.

 

  1. Shqipja, gjuhë zyrtare institucionale e shtetërore në tërë hapësirën dhe në të gjitha institucionet, bashkërisht me maqedonishten.

 

  1. Investim proporcional i Buxhetit shtetëror, sipas përqindjes së përgjithshme të popullatës, në zhvillimin e qëndrueshëm të territorit të banuar nga populli shqiptar.

 

  1. Përfundimi i dhunës sistematike e segregacionit sllavo-bullgar “maqedonas” ndaj popullit shqiptar.

 

  1. Regjistrimi i popullatës së përgjithshme nga një institucion i besueshëm ndërkombëtar.

 

  1. Referendum mbi zgjidhjen e të ardhmes së territorit të etnitetit politik të populluar nga populli shqiptar pas një periudhe tre vjeçare, në bashkim me ndonjë shtet simotër, në këtë rast Kosovën apo Shqipërinë, ose qëndrimin në Konfederatën e shtetit të ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë.

Këto elemente janë çelësi i zgjidhjes së drejtë në relacionin e dimensionin kombëtar dhe ndërkombëtar. Etnitetit politik, brenda Konfederatës së Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, i Republikës sikurse në rastin e Bosnjës, do të përbënte një zgjedhje të mundshme të situatës politike e aspiratave të drejta të popullit shqiptar në këtë territor.

Nëpërmjet zbatimit të parimeve të shtruara më lartë do të krijohej një bazë e qëndrueshme e bashkëjetesës etnike në një shtet të drejtë dhe moralisht të pranueshëm për të gjithë, si dhe do të mbylleshin kapitujt e konflikteve të brendshme dhe hapej rruga e integrimit evro-atlantik të këtij vendi, e Ballkanit në përgjithësi.

Lajme të ngjashme

Back to top button