SHBPK kërkon zbardhjen e së vërtetës në Kumanovë të Maqedonisë

Shoqata e ish të burgosure politikë të Kosovës ka kërkuar zbardhjen e së vërtetës lidhur me zhvillimet e fundit në Kumanovë të Maqedonisë, duke shprehur dhimbjen dhe shqetësimin e madh lidhur me këtë situatë.

Kjo shoqatë ka dënuar “dhunën evidente brutale policore të ushtruar kundër qytetarëve dhe familjeve shqiptare, në kundërshtim flagrant me aktet ndërkombëtare për të drejtat individuale dhe kolektive të njeriut”.

Në letrën dërguar për media në emrin e kryetarit të shoqatës, Hydajet Hyseni, thuhet mes tjerash që “dënojnë harangen shoviniste kundër familjeve dhe qytetarëve të pafajshëm dhe të pambrojtur, arrestimet, burgosjet dhe keqtrajtimet e egra e të pajustifikueshme, madje edhe të fëmijëve, grave dhe të moshuare, duke mbjellë midis popullatës së atjeshme atmosferë të frikës, panikut dhe braktisjes së vatrave të tyre shekullore”.

“Mënyra, hapur armiqësore e antishqiptare e krijimit të planifikuar të situatës konfliktuoze në atë zonë dhe pastaj provokimi dhe ndërhyrje brutale e eskadroneve policoro-ushtarake maqedonase, në kontekstin aktual politik e historik të brendshëm e të jashtëm si dhe në krizën e rëndë politike e institucionale në të cilën është mbërthyer Maqedonia dhe udhëheqja e saj politike, shton dyshimet se e gjithë kjo dramë e rrezikshme të jetë inskenim monstruoz i drejtëpërdrejtë ose i tërthortë i kreut të komprometuar e të dekompozuar politk të Maqedonisë, në funksion të interesave aktuale politike dhe synimeve aftagjate shoviniste për deshqiptarizimi e Kumanovës dhe rrethinës së saj ashtu siç është vepruar në mënyrë të planifikiar, sistematike e institucionale me Shkupin me rrethinë dhe vise tjera shqiptare të shkombëtarizuara, në Maqedoni”, thuhet në letër.

Aty thuhet se duke u thirrur në dispozitat e Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut të OKB-së, sipas të cilave: “Asnjeri nuk duhet t’i nënshtrohet arbitrarisht arrestimit, ndalimit ose internimit.”(neni 9), dhe “Asnjeri nuk duhet t’i nënshtrohet ndërhyrjes arbitrare në jetën, familjen, banesën ose korrespondencën vetjake, si dhe sulmeve kundër nderit dhe prestigjit personal.

“Gjithkush ka të drejtën të mbrohet nga ligji kundër ndërhyrjeve ose sulmeve të tilla.”( neni 12), Shoqata e Ish të Burgosurve Politikë e Kosovës kërkon nga opinioni demokratik e paqedashës brenda në Maqedoni dhe jashtë saj që të ngre zërin e protestës kundër fushatës shtetërore antishqiptare në Maqedoni, dhe të shfrytëzojë të gjithë ndikimin e tyre të drejtëpërdrejtë e të tërthortë për lirimin e të burgosurve të pafajshëm dhe përballjen me drejtësinë të urdhërdhënësve dhe përgjegjësve për dhunën e ushtruar policore”, thuhet mes tjerash në letër.

Shoqata i ka ftuar edhe qeveritë e vendeve mike, qendrat evropiane e ndërkombëtare të vendosjes dhe mekanizmave të diplomacisë preventive që mos qëndrojnë indiferentë ndaj zhvillimeve të rrezikshme në këtë pjesë të Ballkanit.

“Shoqata fton ish të burgosurit politikë në Maqedoni, bashkëvuajtësit dhe bashkudhëtarët e rrugëtimit të lirisë, që të shfrytëzojnë influencën e tyre pozitive në funksion të angazhimit të përbashkuar, të vendosur, të pjekur, të menduar mirë, të matur e konstruktiv, për tejkalimin e situatës së krijuar, parandalimin e luftës vëllavrasëse, eliminimin e shkaqeve që prodhojnë situata të tilla dhe krijimin e parakushteve për zgjidhje të drejtë, të qëndrueshme e me mjete politike të çështjeve të trashëguara, të regjeneruara e ende të pazgjidhura politike”, thuhet mes tjerash.

Lajme të ngjashme

Back to top button