KUNJI

Mala me vite ëndërronte ta marrë kuletën, të bëhet zot shtëpie në shtëpinë ku jetonin si në kooperativë,  të mbetur në një kulm shumë kushërinj, të cilët tashmë ishin të largët. Mirëpo ia zinin për të madhe se në shkollë nuk ia kishte dalë ta mësonte tabelën e shumëzimit, e cila asokohe  konsiderohej si dëshmi se njeriu është i arsimuar. Shpeshherë i ndodhte ta kafshojë gjuhën prej një inati pse s’ia dilte ta mësonte atë tabelë të mallkuar të shumëzimit dhe shante në vete: “Tabelën e nanës”!

Më të moçmit i thoshin: “Mësoje tabelën” e do ta kesh kuletën. Do ta kesh, sepse e shohim se je dhënë shumë pas saj. I zoti i shtëpisë është plakur, kurse të tjerët nuk duan ta marrin kuletën se u duket punë me përgjegjësi, punë e rëndë.

Mala e merrte tabelën e shumëzimit, e cila asokohe ishte e shtypur në kopertonat e fletoreve me kutia. Ecte nëpër kopsht andej-këndej duke përsëritur. Shtatë herë tetë, shtatë herë nëntë. Kjo shtatë herë nëntë i krijonte një hidhërim, një dëshpërim dhe një mllef dhe thoshte ia bëfsha e ia kthefsha  shtatëshes, shtatëshja e nanës! Pas një kohe, përsëritja pa fletore përfundonte me revolt dhe me sharje. Edhe pas aq shumë përsëritjeve – nuk e mësonte, përveç dyshit, treshit e pesëshit e aty-këtu katërshit dhe gjashtëshit. Megjithatë, ai nuk u ndal. Ishte i vendosur ta mësonte sepse ky ishte kushti të arrinte te kuleta dhe te posti i zotit të shtëpisë. Dhe, kur i kujtohej se do të bëhej zot shtëpie qeshte vet me vete dhe i shkëlqenin sytë.

Një ditë prej ditëve, doli sërish në kopsht të luftonte me shtatëshet. Dhe, pas shumë përsëritjeve e gjitha ai ankth që e bënte të jetë i mërzitur, i pezmatuar i mllefosur e inatosur, tabela e shumëzimit – sot u bë shkak i një krenarie të paparë. Megjithatë edhe njëherë shau. Kësaj radhe triumfalisht. “Ta luajta, oj tabelë e shumëzimit”! Të mësova! Tash më pret kuleta!

Mori të dalë nga kopshti, por u bë pishman. U ndal. E përsëriti edhe njëherë tabelën e shumëzimit nga gjashtëshi e deri te nëntëshi. Dhjetëshin, pesëshin dhe numrat më të vegjël i dinte. I lidhi mirë opingat dhe e hapi derën e gardhit duke fishkëllyer, i kënaqur. U dha flokëve njëherë duke e lëvizur kokën në të djathtë, pastaj i ngriti flokët me dorën e djathtë. Pastaj i shpejtoi hapat drejt shtëpisë. Drejt shkoi te e ëma.

“E mësova”, i tha ai.

“Çfarë mësove”? e pyeti e ëma.

“Tabelën e shumëzimit”.

“Biri i nanës”, ia ktheu nëna me një ndjenjë keqardhjeje për ambiciet e të birit që po kërkonte ta marrë një përgjegjësi, të cilën do ta kishte vështirë ta ushtronte. Zot shtëpie? Çfarë i duhet kjo, kur hoqi të zitë e ullirit ta mësojë tabelën e shumëzimit? Biri i nënës, përsëriti ajo dhe në fytyrë iu duk e qartë një pasiguri të cilën nënave ua tregon instinkti amënor.

Ai doli prej derës së madhe. As që e ndjente erën e ftohtë. Ecte me hapa të ngadalshëm, duke u përkundur, si thonë. Kishte nevojë ta shohin në fshat, kishte nevojë të tregohej se ai nuk ishte i dikurshmi, madje as i djeshmi që nuk e dinte tabelën e shumëzimit. Për çudi te sheshi nuk kishte njeri. Ai i futi duart në xhepa dhe u kthye në shtëpi. E hapi derën e madhe, kaloi nëpër oborrin mbi të cilin tashmë kishte filluar të palohej terri dhe hyri në dhomën e madhe të ndenjës, ku ishin mbledhur thuajse të gjithë njëzet e pesë anëtarët e familjes, njerëz, kryesisht të lodhur nga punët e rënda në fushë e në mal, me fytyra të zymta nga të cilat lexohej lehtë rraskapitja. Megjithatë thuajse të gjithë e kthyen kokën kur hyri ai në dhomë, kurse ai tha:

“E mësova”!

“Tabelën”, a?

“Po”! tha triumfalisht dhe i shkëlqyen sytë.

Plaku, i zoti i shtëpisë, urdhëroi ta shtronin sofrën. Njerëzit nisën të hanë groshë në sahanin e përbashkët. Dëgjoheshin trokitjet e lugëve të drunjta kur i lëshonin në sofër. Mala mezi priste të çohej sofra. Pastaj, i zoti i shtëpisë u kollit sa për të dëshmuar se pushteti i patriarkut ishte në duart e tij. Pastaj urdhëroi ta sillnin nga një gotë raki. Ra heshtje në dhomë. Diçka e madhe do të ndodhte, pasi plaku kërkoi të pinin raki burrat. Pasi njëra nga gratë i solli gotat me raki, patriarku tha:

“Sonte po e dorëzoj kuletën, por… Për gjashtë muaj”… nëse ky burrë”, tha duke treguar me gisht kah Mala, “nuk ia del, kuletën e marr prapë”!…

Mala u ngrit, e mori kuletën prej patriarkut dhe ia puthi dorën. Një ndjenjë që s’përshkruhet e pushtoi patriarkun e ri që sapo e mori pushtetin. Me kaq përfundoi ceremonia.

Të nesërmen filloi pushteti i ri. Rreth patriarkut të porsazgjedhur u mblodhën katër a pesë veta, njerëz të kësaj familjeje – kooperativë të cilët gjithmonë ishin tallur me bartësin e ri të kuletës. Mirëpo Këtij i pëlqenin lavdet që i thurnin. Të kota ishin vërejtjet e së ëmës që të kujdeset, se ka përjargsha këtu, i tha duke menduar për njerëzit për të cilët e dinte se do t’i lyheshin të birit. Mirëpo Mala tashmë i kishte hipur kalit të bardhë.

Pas gjashtë muajsh patriarku i mëparshëm e kërkoi kuletën prapa. S’ishte i kënaqur me menaxhimin e shtëpisë së madhe plaku. Mala u gjet ngushtë. Shpresat i kishte te të pesë përjargshat që i shkonin si hije prapa? Çfarë të bëjë? Do t’i pyesë ata patjetër. Njëri nga përjargshit i tha me zë: “Nuk je budalla ta kthesh kuletën. Kuleta është jotja”!

Mala shikoi kopshtin ku e kishte mësuar me vjet tabelën e shumëzimit. Dielli u jepte ngjyrë berili gjetheve. Duke e dëgjuar edhe këngën e zogjve, e preku kuletën. “Jo”, tha vet me vete. “Nuk e jap.

Dera e madhe e oborrit ishte e hapur. Jashtë dikush kaloi me biçikletë. Me hapa të shpejtë Mala doli te dera dhe e pa njeriun që u tret pas kthesës me biçikletë. Tash gjatë gjithë kohës i kalonte një pyetje nëpër mend: pse s’e blej edhe unë një biçikletë? E kishte pasur ëndërr qysh si fëmijë. Madje ishte mësuar ta voziste me fëmijët e fqinjëve biçikletën e fqinjit postier? I pyeti përjargshat a ta blinte një, kurse ata u treguan të gatshëm t’ia sjellin menjëherë një biçikletë, natyrisht i kërkuan paratë sepse ky e kishte kuletën, përjargshat – jo. Pse mos ta blinte kur e kishte kuletën, kur tash ishte patriark.

Ia sollën biçikletën të markës Rog të Sllovenisë. Ishte biçikletë me emër. Natyrisht një biçikletë e përdorur, sepse e reja do të kushtonte shumë. Patriarku i ri prej atij çasti nuk ndahej nga biçikleta. Çdo ditë dilte te sheshi me të. Me biçikletën ikte nga lëmshi i problemeve që prisnin zgjidhje, që prisnin menaxhim. Nga mualifet kalkuluese të përjargshave të tij, nga spekulimet e grave të familjes së madhe, nga mashtrimet, nga akuzat, nga malverzimet, nga nevojat për të blerë e për të shitur, nga hallet që sillnin mbajtja e bagëtisë, nga ky lëmsh të cilit ai e kishte vështirë t’ia gjente fijen. Konsultohej vetëm me përjargshat dhe ia mbathte me biçikletën e tij Rog. Mala u besonte përjargshave, mendimin e tyre e merrte për relevant, atyre ua besonte punët që duhej t’i bënte vetë. Kurse ata i thoshin:

“Hajt, mos u mërzit ti, na ke neve! Ec ti me biçikletë. Dhe, ai i grahte biçikletës së tij. Vazhdimisht i binte fshatit kryq e tërthorë. E dilte edhe jashtë fshatit. Kurse menaxhimi u mbetej përjargashave.

Një ditë deri sa vinte nga sheshi, tatëpjetës, kah shtëpia seç i doli timoni. Biçikleta mori hov, shpejt e më shpejt. Ky e hodhi timonin dhe ia ngjiti kunjit (kujt, kunxhit) ku pak më parë ishte timoni. Dhe, gjatë gjithë rrugës së gjatë shkoi duke u munduar ta drejtojë biçikletën duke u mbajtur për kunji.

Kur arriti si arriti në shtëpi ish patriarku i shtëpisë së madhe i tha:

“Ta dhashë kuletën ta mbash timonin, kurse ti po mbahesh për kunji. Kthema kuletën”!

Rreth plakut qëndronin të gjithë anëtarët e familjes së madhe përveç pesë përjargshave.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button