NISMA dhe LB dënojnë dhunën “mesjetare” ndaj shqiptarëve në Kumanovë

NISMA për Kosovën dhe Lëvizja për Bashkim kanë reaguar në lidhje me ngjarjet e fundit në Kumanovë të Maqedonisë ku raportohet të jenë vrarë pesë persona si dhe janë lënduar rreth 20 të tjerë nga të shtënat mes policisë dhe një grupi të armatosur.

NISMA thotë se janë duke ndjekur me shqetësim të madh dhunën dhe terrorin në vendbanimet shqiptare të Kumanovës, ndërsa theksojnë se vrasja e civilëve është tragjike dhe bartë me vete rrezikun e përshkallëzimit të mëtutjeshëm të situatës.

“NISMA për Kosovën dënon dhunën ndaj civilëve shqiptarë, u shpreh ngushëllimet më të thella të gjithë atyre që humbën më të dashurit e tyre dhe kërkon ndërprerjen e menjëhershme të dhunës dhe formave tjera të presionit”, thuhet në reagimin e këtij subjekti politik.

Problemet e shumta me të cilat ballafaqohet populli shqiptar në Maqedoni, sipas NISMA-s, nuk mund të zgjidhen me tanke, autoblinda dhe forca ushtarako-policore, ndërsa thonë se dhuna nuk është zgjidhje dhe ajo u intereson para se gjithash atyre që e kanë sjellë situatën deri në këtë shkallë përkeqësimi.

Ndërkaq, Lëvizja për Bashkim thotë se “sot, në Kumanovë, që nga orët e hershme të mëngjesit, po zhvillohen luftime në mes të shqiptarëve dhe forcave policore maqedonase”.

“Ky zhvillim i ngjarjeve ka tronditur mbarë shqiptarët, të cilët janë gatshëm të radhiten në mbrojtje të qytetarëve të pafajshëm, të cilët jetojnë në trojet e veta në Republikën e Maqedonisë”, thuhet në reagimin e LB-së.

“Zhvillimi i tillë i ngjarjeve ka kohë që është pritur! Moszgjidhja e çështjes shqiptare në përgjithësi dhe moszgjidhja e kësaj çështjeje në Maqedoni në njërën anë si dhe shovinizmi i egër maqedonas bashkë me politikën e papërgjegjshme të partive politike shqiptare në anën tjetër domosdo që do të çonin në tensionime të tilla e madje me rreziqe edhe për konfrontime lufte me përmasa të paparashikueshme”, theksohet në reagimin e këtij subjekti politik.

Tutje, Lëvizja për Bashkim ka dënuar ashpër dhunën, siç thotë, “mesjetare” të pushtetit maqedonas, ndërsa i kanë shprehur mbështetje të parezervë përpjekjeve të shqiptarëve të Maqedonisë në rrugën e tyre për liri e barazi!

Lëvizja për Bashkim thërret faktorin politik shqiptar në Tiranë e Prishtinë që të bëjë krejt çka është e mundur në mbështetje të shqiptarëve në Maqedoni!

“Lëvizja për Bashkim kërkon ndërhyrjen e menjëhershme të faktorit ndërkombëtar për ndaljen e dhunës maqedonase dhe për zgjidhjen e çështjes shqiptare! Përndryshe, paqes së rrejshme, paqes në kurriz të shqiptarëve mund t’i vijë fundi!”, përfundon reagimin e Lëvizjes për Bashkim. / Koha.net

Lajme të ngjashme

Back to top button