Veliaj letër socialistëve: Bashkë fitojmë zgjedhjet dhe shpëtojmë Tiranën

Kandidati i së majtës për Bashkinë e kryeqytetit, Erion Veliaj iu është drejtuar socialistëve të Tiranës me anë të një letre personale, ku i fton ata që të bëhen promotorë të ndryshimit që do ndodhë më 21 qershor, për të shpëtuar sipas tij, qytetin nga keqqeverisja e 4 viteve të fundit.

Që në krye të letrës së tij, Veliaj thekson se ndihet krenar që në zgjedhjet e 21 qershorit do të jetë kandidati i Partisë Socialiste dhe Aleancës për Shqipërinë Europiane për të drejtuar Bashkinë e Tiranës në katër vitet e ardhshme, ndërsa beson se bashkë me socialistët mund ta fitojë këtë garë për ta kthyer qytetin në rrugën e duhur.

“Së bashku, ne kemi vizionin, energjinë, përkushtimin dhe vullnetin për t’i dhënë drejtimin e duhur Tiranës dhe për të rizgjuar shpresën e secilit prej nesh. Për të përmirësuar jetën e familjeve tona dhe siguruar të ardhmen e fëmijëve tanë”, – shkruante Veliaj në letrën e tij.

Më tej ai e konsideron 21 qershorin një moment të rëndësishëm jo thjesht për të marrë bashkinë e Tiranës, por për të rikthyer shpresën te qytetarët.

“Ne jemi dëshmitarë të dështimit të pashembullt të Lulëzim Bashës si kryetar bashkie. Një fitore e vjedhur katër vite më parë nuk mund të përfundonte në asgjë tjetër, veçse dështim historik, që e la qytetin të dergjet si shtëpi pa zot. Pikërisht, prandaj këto zgjedhje janë jetike për të ardhmen e qytetit tonë. Ne duhet të fitojmë së bashku që Tirana të marrë drejtimin e duhur. Për ta shpëtuar kryeqytetin nga keqqeverisja e katër viteve të fundit dhe për të ringjallur shpresën dhe ëndrrën e Tiranës, që për vite me radhë ishte fuqia dhe modeli i ndryshimit të Shqipërisë.

Në letrën e vet ai bën edhe një panoramë të arritjeve të tij në drejtimin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ndërsa deklaron se ndihet krenar që si në opozitë ashtu edhe tani në qeverisje ka qenë një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama.

“Ndërkohë që ne kemi arsye për të qenë krenarë në punën tonë të përbashkët, kundërshtarët tanë duhet të ndjehen të turpëruar për të gjitha premtimet e pambajtura të katër viteve më parë. Ndërkohë që ne kemi provuar me punë dhe rezultate konkrete përkushtimin tonë, ata nuk mund veçse të justifikohen në mënyrë të dëshpëruar për dështimet spektakolare të qeverisjes së tyre”, – thekson Veliaj në mesazhin e vet.

Lajme të ngjashme

Back to top button