Djali i Ukshin Hotit beson ta ketë gjallë babanë

Ish-drejtori i burgut të Dubravës, Aleksandër Rakoçeviq, është njeriu kryesor që besohet se e di se çfarë ka ndodhur me Ukshin Hotin, njërin nga veprimtarët e rëndësishëm të viteve të 90-ta.

Dëshmitarë të ndryshëm kanë deklaruar se Aleksandër Rakoçeviq kishte marrë vendim për lirimin e Ukshin Hotit, para se ai të zhdukej. Madje, për këtë dëshmi, ekziston edhe ky dokument, në të cilin thuhet se Ukshin Hoti lirohet me kusht, pas vuajtjes së pesë vjetëve të dënimit.

Megjithatë, zhdukja e tij mbetet mister prej vitesh. Kohë më parë, në opinion kishin rrjedhur informacione të ndryshme se Ukshin Hoti mund të ishte në ndonjërin prej baseneve në burgun e Dubravës, por ky informacion s’u konfirmua asnjëherë, raporton KTV.

Kjo madje e bëri të ndihet keq familja, e cila thotë se paraprakisht ajo duhej të informohej, e jo informacioni të rrjedhë në media. Ata përgënjeshtrojnë faktin se dinë diçka për vendndodhjen e tij.

Djali i Ukshin Hotit, Andini, beson se e ka të gjallë babanë dhe është kritik për institucionet, të cilat, sipas tij, nuk e përdoren presionin mbi mekanizmat ndërkombëtarë.

Me rastin e Ukshin Hotit është marrë edhe Kuvendi i Kosovës. Komisioni për persona të pagjetur i ka bërë gati disa rekomandime, në mesin e tyre edhe kërkesën ndaj Bashkimit Evropian që të bëjë presion mbi Serbinë që të zbardhet ky rast.

Lajme të ngjashme

Back to top button