A do ta presim mollën të piqet?

Dy momente janë kyçe këtë javë: kongresi I Gruevskit dhe protestat e mbrëmshme së bashku me ato që paralajmërohen për sot. Mesazhet e kryeministrit ishin po ato të njejtat, të kërcënimit në bazë të numrave dominante dhe të transmetimit të një uniteti dhe të moslëkundjes. Gjithmonë duke mbajtur një frymë të qetë përpara shtërngatës që e ka kapluar vendin. Ndoshta ndonjëri nga këshilltarët e afërm të kryeministrit ka lexuar Mobi Dickun kohëve të fundit dhe ka zgjedhur për të personazhin e Kapitenit Ahab meqë në mendjet e njerëzve do të paraqiste njeriun I cili është I gatshëm të japë veten për të realizuar qëllimin e vet. Megjithatë problemi qëndron tek qëllimi: ai nuk është fare I qartë sot, përkundër qartësisë të cilën e transmetonte kohë më parë. Nuk dihet nëse qëllimi është për të mirën e Maqedonisë (sic e ka qejf ta përsërisë kapiteni shumë shpesh) apo është shpëtimi I vetvetes dhe klanit të tij. Të shpëtojmë sa të mundemi derisa nuk jemi fundosur. Kapiteni Ahab në fund të librit mbytet në det duke gjuar balenën e madhe. Nëse vjen deri tek fundosja, shpresoj që ne të mos fundosemi bashkë me këta njerëz të cilët I ka degjeneruar pushteti dhe fuqia. Nëse dikush nga ne duhet të fundoset, le të jenë ata idhtarët shqiptarë të fuqisë së tij; edhe ashtu janë të dehur.

Momenti I dytë I rëndësishëm I kësaj jave është momenti I protestave të mbrëmshme. Nëse kërkonim një reagim nga populli I thjeshtë, këtë e gjetëm mbrëmë. Besoj do ta gjejmë sonte, por edhe gjatë ditëve në vijim me protestat e paralajmëruara në organizim të opozitës maqedone. Më në fund shtetit po I ndodh populli. Gjëja më demokratike që mund të ndodh në cilindo shtet të botës të cilitdo sistem politik. Akoma më e këndshme është protesta ndaj një shteti autoritar, demagogjik dhe diktatorial. Ajo që është e rëndësishme është që këto protesta të bëhen sa më të numërta, sa më të shpeshta. Pse jo edhe të dhunshme, duke cituar “liderin tonë të madh” Ali Ahmetin kur përgjigjej para gazetarëve për rrahjet e fëmijëve që ndodhnin nëpër autobusa: “janë të rinj, ju vlon gjaku, le të rrihen”. Nejse e parafrazova në mënyrën time, por kjo ishte edhe esenca e botëkuptimit të tij. Normalisht mund të më dënoni që propagoj dhunë, por në këtë rast I jap të drejtë “liderit tonë të madh”. Ndaj një pushteti të dhunshëm duhet një protestë poashtu e dhunshme. Le të vlojnë gjakrat! Duke cituar Che Guevarra:  “Revolucioni nuk është një  mollë që bie kur piqet. Duhet ta bësh të bie”.

Nga ana tjetër mund ta gënjej vetveten të hamendem si do të reagojnë partitë politike shqiptare ndaj këtyre protestave. Kjo është e qartë: ata nuk do të bëjnë asgjë, sepse do ta lëndonin partnerin e tyre në momentin e tashëm, dhe në një të ardhme do të cënonin rolin e tyre në një qeveri të ardhshme nëse me të vërtetë Gruevski mban pushtetin pas zgjedhjeve të ardhshme që priten në vend. Do të ishte mëkat që ndonjëra prej këtyre partive politike të dalë sheshazi dhe të kërkojë elektoratit të vet të dalë të protestojë për padrejtësitë që ju janë bërë këto vitet e fundit, të shumta në numër. Edhe normalisht nuk mund të dilet në protesta në formë të paorganizuar. Dikush duhet të marrë iniciativën për të mbledhur një grup të caktuar njerëzish të cilët do të mblidhnin rreth vetes dhe rreth cështjes së tyre akoma më shumë njerëz. Se kush do ta marrë këtë barrë historike nuk e kam të qartë; e vetmja gjë që mund ta them është që nuk do të vijë nga organizimet politike. Mund të vijë si rrjedhojë e ndonjë organizimi të një forme tjetër: organizim të nxitur nga instancat fetare të vendit (por edhe kjo më duket gati e pamundur duke parë m* në të cilin janë zhytur disa krerë fetarë këto kohët e fundit) ose ndonjë lëvizjeje qytetare të ndarë nga bërja në formë direkte e politikës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button