Serbia kurrë në NATO, shkak Kosova

Gati 80 për qind e serbëve janë deklaruar kundër anëtarësimit të vendit të tyre në NATO. Ky qëndrim u shfaq edhe në një tubim të organizatave djathtiste të Serbisë dhe vendeve mike të saj. Regjisori çek, anti-kosovari Vaclav Dvorzhak, tha që serbët e Kosovës jetojnë në geto, ndërsa paralajmëroi një projekt të ri, për të dëshmuar, sic tha ai, se në Srebrenicë nuk pati gjenocid dhe se gjithçka ndodhi aty, “ishte shpikje e Tribunalit të Hagës”.

Anëtarësimi i Serbisë në NATO do të destabilizonte këtë shtet.

Pos destabilizimit gjeopolitik, ky akt do të përjashtonte edhe çfarëdo mundësie të bashkëpunimit ekonomik dhe politik me Rusinë.

Kështu u tha të martën, në një tubim të madh të organizatave djathtiste të Serbisë dhe disa vendeve tjera të këtij shteti, të quajtur “Serbia kurrë në NATO”, e cila u iniciua më 24 mars, me rastin e 16 vjetorit të sulmeve të Aleancës nga forcave të Beogradit, për shkak të dhunës ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Kryetari i Këshillit serb të organizatës “Zavetnici”, Stefan Stamenovski tha se 78.8 për qind e serbëve janë kundër anëtarësimit në këtë organizatë.

Në këtë tubim ishte i pranishëm edhe çeku anti-kosovar, Vaclav Dvorzhak, autor i filmit “Kosova e grabitur” dhe kryetar i Shoqatës së Miqve të Serbëve në Kosovë që tha Beogradi duhet të kujdeset për këta serbë.

“Atje është një geto, njerëzit janë të izoluar, situata është e rëndë dhe unë dua që e vërteta për këtë të dalë në shesh”, tha ai për mediet serbe, transmeton Klan Kosova.

Dvorzhak tha se NATO është një manipulim i madh ndërsa bëri të ditur se projekti i tij i radhës është “E vërteta për Srebrenicën”. Sipas tij, në këtë qytet boshnjak nuk ka ndodhur gjenocid dhe gjithçka që ka thënë Tribunali i Hagës në lidhje me të, ka qenë një gënjeshtër e madhe.

Lajme të ngjashme

Back to top button