Rosell: Nuk ka asnjë proces ndaj meje

Sandro Rosell reagoi sërish duke insistuar se nuk ka asgjë për të fshehur, në lidhje me dyshimet se ka përfituar financiarisht nga miqësoret që ka zhvilluar kombëtarja spanjolle. Sipas gazetës braziliane “Estadao”, një pjesë e parave që ka marrë Konfederata e Brazilit për miqësoret me Spanjën kanë përfunduar në llogaritë bankare të Rosell. Megjithatë, presidenti i Barcelonës deklaroi si i ftuar në një emision për Catalunya Radio se është i pafajshëm dhe mund të kthehet për t’u ballafaquar në Brazil në çdo moment.

“Nuk kam asgjë për të fshehur. Dua vetëm të di se nga kush akuzohem dhe për çfarë, pasi nuk kam marrë asnjë dokument nga ndonjë gjykatë. Kam qënë shumë i hapur në punën time, diçka që e kam bërë gjatë gjithë jetës. Kushdo që dëshiron të më denoncojë, le ta bëjë. Le të më çojnë në gjykatë për gjërat që pretendojnë se i kam bërë dhe të flasim atje. Unë mund të shkoj në Brazil kur të dua, pasi nuk ka asnjë hetim të nisur ndaj meje në asnjë vend të botës”.

Mjaft i vendosur dhe sfidues në fjalët e tij Rosell, teksa ftoi gazetarin që po e intervistonte, të mos hezitonte por ta pyeste për çdo gjë, pasi kjo ishte ndër të paktat herë që ai pranoi të fliste edhe për çështje personale. Ish presidentin e Konfederatës Braziliane, Ricardo Teixeira, Rosell e konsideroi një mik mjaft të mirë dhe asgjë më shumë, duke mohuar kështu zërat për raporte me qëllim përfitimi mes tyre, ndërkohë që tha se të gjitha këto që po ndodhin rreth tij dhe familjes janë vetëm një nga çmimet që po paguan nga fakti se është presidenti i një prej klubeve më të mëdha në botë.

“Ka ende dedektivë që më ndjekin. Vajzat po e paguajnë jo pak sepse unë jam presidenti i Barcelonës. Nuk u pëlqen kjo gjë, por gjithsesi e pranojnë”.

I pyetur në fund për gjendjen e Tito Vilanovas, presidenti i blaugranave u shpreh se detyra e tij tani pas largimit nga drejtimi i skuadrës është të vazhdojë kurimin dhe të shërohet.

Lajme të ngjashme

Back to top button