Bajrami, Ademi dhe Nikolla kërkojnë treg të përbashkët për arsimin e lartë

Në konferencën rajonale që u mbajt në Prishtinë, ku morën pjesë ministrat e Arsimit të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë disa ndër temat kryesore ishin edhe orientimi i arsimit të lartë drejt nevojave të tregut të punës dhe definimi i qartë i autonomisë së universiteteve.

Nikoqiri i konferencës, Arsim Bajrami tha se tri vendet bashkë do të punojnë që hulumtimi dhe kërkimi shkencor të bëhen pjesë e pandashme e punës së institucioneve të arsimit të lartë. Pjesëmarrësit thanë se kjo konferencë mund të çojë drejtë hartimit të një legjislature të përbashkët mes Kosovës,  Shqipërisë dhe Maqedonisë.

“Të tri vendet jemi në proces të hapur  të reformës në arsimin e lartë dhe po mundohemi të krijojmë një sistem të unifikuar, që do të mundësojë krijimin e një mobiliteti akademik,  që studentët të lëvizin Prishtinë, Tiranë, Shkup e Tetovë lirshëm, pa kufizime administrative, të krijojmë një lëvizje të profesorëve në rajon, jemi shtete fqinjë dhe kemi nevojë që profesorët tanë të lëvizin dhe të krijojnë pse jo edhe programe të përbashkëta akademike”, tha Arsim Bajrami, Ministër i Arsimit, Kosovë.

Ministri i Arsimit të Maqedonisë Abdilaqim Ademi tha se në këto reforma është e nevojshme edhe kyçja e universiteteve.

“Konferenca dëshmon edhe komponentë e rëndësishme, atë të transparencës dhe gjithëpërfshirës. këto aktivitete unë nuk do t’i quaja reforme sepse këto transformime nuk mund të ndodhin vetëm nga politika dhe konsideroj se kyçja e universiteteve është e domosdoshme duke e ditur konceptin e ligjit për arsimin e lartë, ne shumë shpejtë do të dalim edhe me propozim tekstin, i cili do t’i nënshtrohet një debati të gjerë publik, dhe e gjithë kjo do të rrumbullakohet me një konferencë për arsimin e lartë në muajin qershor”, deklaroi Abdilaqim Ademi, Ministër i Arsimit, Maqedoni.

Ministrja e Arsimit e Shqipërisë, Lindita Nikolla shtoi është shpresëplotë në aspektin e bashkimit të programeve që do të kishin për qëllim cilësinë në arsimin e lartë.

“Jam shpresëplotë që kjo konferencë do të na vë përpara 3 ministrat të arsimit të vendeve tona, një agjendë tre punë, se si ne të përmirësojmë, mbështesim profesoratin, universitetet dhe studentët, nën një kryefjalë të madhe që është cilësia, e diplomave, kërkimit shkencorë, cilësia e dijës në tregun e punës, e institucioneve me standarde Evropiane”, u shpreh Lindita Nikolla, Ministre e Arsimit, Shqipëri.

Në konferencë morën pjesë edhe rektorë dhe përfaqësues të universiteteve publike dhe private nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria si dhe figura eminente në sferën e arsimit dhe shkencës.

Lajme të ngjashme

Back to top button