Siri, numri i refugjatëve kalon 2 milionshin

Më shumë se 2 milion refugjatë kanë ikur nga Siria dhe janë zhvendosur në vendet fqinje, njoftuan Kombet e Bashkuara.

Numri i fëmijëve, grave dhe burrave që kalojnë kufijtë është rritur pothuajse dhjetë fish gjatë 12 muajve të fundit, njofton agjensia e refugjatëve të OKB-së, transmeton mesazhi.

“Siria është bërë tragjedia e madhe e këtij shekulli – një fatkeqësi e turpshme humanitare me vuajtje dhe zhvendosje të pashembullt në historinë e kohëve të fundit,” tha Komisioneri i Lartë i OKB për Refugjatët, António Guterres.

Mesatarisht,5.000 njerëz gjejnë strehë tek fqinjët për çdo ditë, sipas raportit.

“Nëse situata vazhdon të përkeqësohet në këtë normë, numri i refugjatëve vetëm sa do të rritet dhe disa vende fqinje mund të bien deri në pikën e kolapsit,” tha e dërguara e UNHCR-së Angelina Jolie.

Numri i personave të zhvendosur brenda Sirisë është rreth 4.250.000, thuhet në raport.

Ministrat nga Iraku, Jordania, Libani dhe Turqia, vende të cilat strehojnë më së shumti refugjatë, pritet të takohen në Gjenevë për të gjetur zgjidhjet e mundshme për krizën.

Lajme të ngjashme

Back to top button